Vendosni fjalën kyçe....

21 të vrarë nga rizgjimi i konfliktit në Libi, trupat marshojnë drejt Tripolit


Libia është kthyer sërish në qendrën e vëmendjes, pas konflikteve të ashpra të armatosura që kanë shpërthyer në vendin afrikano-verior javën e fundit. Përplasjet në Libi kanë nisur që prej ekzekutimit të ish-liderit të vendit, Muamar Gadafi në vitin 2011.

Vendi afrikano-verior u përfshi nga trazira të forta në fillim të vitit 2011, kundër qeverisjes së Muamar Gadafit.

Të nisura në qytetin e Zawia-s, shumë shpejt protestat përfshinë mbarë vendin për muaj të tëra gjatë të cilave pati përplasje të armatosura mes forcave qeveritare dhe grupeve të ndryshme rebele.

Më 20 tetor 2011, Koloneli Muamar Gadafi u kap nga forcat rebele dhe u ekzekutua nga rebelët. Që prej vrasjes së Gadafit, vendi afrikano-verior është përfshirë nga përplasje mes grupeve të ndryshme që pretendojnë konfrollin e vendit dhe si rezultat edhe të naftës së shumtë që prodhon Libia.

Prej pak ditësh, Libia është trazuar sërish me përplasje të forta që kanë çuar deri tani  në më shumë se 20 viktima ndërkohë që trupat e Libisë lindore kanë nisur një sulm ndaj kryeqytetit të vendit, Tripoli duke u përplasur me forcat qeveritare.

LNA (Ushtria Kombëtare Libiane) që përfaqëson trupat që veprojnë në lindje të Libisë, të komanduara nga Gjenerali Khalifa Haftar, një oficer madhor nën ushtrinë e Gadafit, po lufton për marrjen e aeroportit ndërkombëtar me trupat qeveritare të qeverisë së kryeministrit Fayez al Serraj.

Qeveria e këtij të fundit mbështetet nga Kombet e Bashkuara dhe ka kërkuar ndihmën e trupave të armatosura nga Misrata, qytetet pranë Tripolit.

SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca kanë bërë thirrje për ndalim të konfliktit që rrezikon të kthehet në një tjetër konflikt të armatosur më shumë viktima nga të dyja palët. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *