Vendosni fjalën kyçe....

Drogë dhe municione, policia jep detaje rreth operacionit me 4 të arrestuar


Policia e Tiranës ka dhënë informacione zyrtare për operacionin e zhvilluar pasditen e sotme që çoi në pranga katër persona, të dyshuar për trafik drogash të forta drejt Evropës.

Policia thotë se arrestimi është bërë falë bashkëpunimit me qytetarët, ndërkohë që të katër të dyshuarit janë zënë në befasi pasi kanë tentuar të zhdukin sendet e paligjshme sapo kanë pikasur policinë.

Seksioni i Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës në D.V.P Tiranë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për disa persona që dispononin armë e drogë, arrestoi në flagrancë shtetasit: Leonard Duka, 33 vjeç, banues në Tiranë; Dritan Agaj, 38 vjeç, banues në Tiranë; Oltion Loga, 38 vjeç, banues në Tiranë; Elvis Gaçaj, 44 vjeç, banues në Tiranë.

Policia ka ushtruar kontroll në banesën me qira ku këta shtetas jetonin, pasi dispononte nga qytetarët informacion se këta shtetas mbanin në banesë sende të kundraligjshme.

Gjatë kontrollit të ushtruar këta shtetas janë munduar të largojnë sendet e kundraligjshme duke hedhur një pjesë të tyre nga ballkoni i banesës.

Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale: Një mjet të blinduar; Një armë zjarri pistoletë me krehër me fishekë; 46 fishekë luftarak, si dhe doza me lëndë narkotike kanabis.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të tyre, si dhe të përfshirjes të personave të tjerë.

Materialet do ti kalojnë për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve e municionit luftarak e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 283 dhe 278/25 të Kodit Penal.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *