Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në Pukë, ku një banesë ka marrë flakë duke i lënë të vdekur një çift. Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm, në lagjen ‘Va Shënkoll’ të fshatit Breg.
Bashkëshortët Petrit dhe Dava Ndoj 40 dhe 35 vjeç po flinin në katin e dytë të banesës kur ka rënë zjarri. Nga ngjarja kanë mbetur të lënduar dhe katër fëmijët e tyre, të cilët janë hedhur nga dritarja e katit të dytë. Fëmijët kanë shpëtur edhe gjyshen e paralizuar. Më i madhi prej tyre është vetëm 12 vjeç.
Alarmin për zjarrin e ka dhënë i zoti shtëpisë Pal Gjoni, i cili kishte dëgjuar zhurmën e tjegullave. Edhe 82-vjeçari me bashkëshorten e paralizuar kishin qenë në gjumë në katin e dytë të banesës.
“Kam dëgjuar tjegullat që kërcisnin kur me doli gjumi. Jam zgjuar shpejt, kisha hallin e fëmijëve. I kam thirrur djalit qe të nxirrte gruan që e kam të paralizuar. Ai nuk mu përgjigj kurrë më. U gëzova kur pashë që fëmijët ishin në oborr. Ajo që më ndodhi mua, mos i ndodhtë askujt”, tha i moshuari.
Forcat zjarrfikëse të Pukës dhe Fushë Arrëzit kërkuan rreth dy orë për gjetjen e trupave nën mbetjet e zjarrit. Trupat e pajetë u gjetën pranë njëri-tjetrit teksa kishin tentuar të dilnin nga dhoma.
“Me datë 08.04.2019, rreth orës 03.45 në Pukë, në banesën e shtetasit P. N ka rënë zjarr. Si pasojë e zjarrit kanë humbur jetën shtetasit P. N. 46 vjeç dhe bashkëshortja D. N. 35 vjeçe, ndërsa 4 fëmijët e tyre të moshës 15 , 13 , 12 e 11 vjeç ndodhen në Spitalin e Pukës me dëmtime të lehta.
Nga informacionet paraprake dyshohet se zjarri ka rënë për shkak të një shkëndije elektrike. Grupi hetimor po vijon veprimet në vendngjarje për sqarimin e rrethanave si dhe për përcaktimin e shkakut të zjarrit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Kreu i Bashkisë së Pukës Gjon Gjonaj, vizitoi të moshuarin Pal Gjonaj, të cilit i premtoi se brenda një afati të shkurtër do bëjë ç’është e mundur për rindërtimin e banesës./Hashtag.al