Karabinieria italiane ka bërë të mundur shkatërrimin e një grupi kriminal që merrej me tregtimin e lëndëve narkotike.
Sipas policisë italiane tetëmbëdhjetë vetë përfunduan në pranga. Operacioni, i koordinuar nga Drejtoria e Policisë së Shtetit italian, ka kapur një bandë që konsiderohet përgjegjëse për krimet që lidhen me trafikun ndërkombëtar të drogës në rajonin e Frascatit dhe trafikimin e qenieve njerëzore nëpërmjet emigracionit të paligjshëm.
Policia e Frascatit pas një aktiviteti të gjatë hetimor, zbuloi ekzistencën e një organizate, kryesisht të përbërë nga shtetas shqiptarë, që menaxhonin trafikun e sasive të mëdha të marihuanës që vinin nga Shqipëri dhe të destinuara për tregun europian.
Baza e organizatës ishte vendosur në Itali, midis komunave të Guidonia dhe Fonte Nuova, dhe drejtohej nga disa shtetas shqiptar. Në vazhdën e hetimeve janë përdorur edhe përgjimet ambientale, të cilat kanë bërë të mundur identifikimin e blerësve të ndryshëm dhe kristalizimin e shitjeve të ndryshme të marijuanës nga organizata kriminale.