Pas afro një muaji, inspektorët e INUV-it kanë shkuar sërish sot te banorët e Bregut të Lumit, duke i kërkuar atyre që të lirojnë banesat të cilat do të shemben. Bëhet fjalë për 44 banesa ku jetojnë më shumë se aq familje.
Por banorët kanë dalë në rrugë dhe sikurse në protestat e kaluara, kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre dhe daljen në rrugë të madhe, pasi nuk u është ofruar asnjë dëmshpërblim.
Banorët e Bregut të Lumit, preken nga zgjatimi i “Bulevardit të Ri”, që pasi është ndërtuar në 3 segmentet e para të tij do shtrihet edhe në segmentin e katërt deri në Bregun e Lumit. Ata kërkojnë që të dëmshpërblehen ashtu siç ka ndodhur me banorët e dy loteve të para të Bulevardit, duke qenë se loti 1 dhe loti 2 janë dëmshpërblyer për banesat e tyre edhe pse i kanë pasur ato të palegalizuara.
Banorët bëjnë thirrje që edhe ndaj tyre të bëhet i njëjti trajtim si me banorët e dy loteve të tjera, në të kundërt ata do kundërshtojnë me çdo mjet prishjen e banesave të tyre për padrejtësinë që po u bëhet.