Vendosni fjalën kyçe....

Basha nga Kukësi e Kurbini: S’ka zgjedhje me Ramën kryeministër, opozita e bashkuar nuk ndalet


Kryetari i Partisë Demokratike, Basha, ka zhvilluar takime në Kurbin e Kukës me qëllim bashkimin e sa më shumë shqiptarëve në protestën e 13 Prillit.

Në takimet në Kukës dhe Kurbin, kreu i opozitës u kërkoi demokratëve të jenë pranë qytetarëve njësoj si në fushatë për të afruar ditën e largimit të kryeminsitrit më të korruptuar në Europë, i kapur duke vjedhur votat, paratë dhe pasuritë e shqiptarëve.

“Të gjitha sondazhet e Partisë Demokratike, të aleatëve tanë, të kundërshtarit tonë politik dhe ato të ashtuquajturat të pavarura, konfirmojnë se sot Partia Demokratike është shumicë absolute dhe, bashkë me koalicionin tonë, është gati që në një proces të lirë zgjedhor të marrë përgjegjësitë e drejtimit dhe qeverisjes së Shqipërisë drejt destinit tonë evropian. Shumica dërrmuese e shqiptarëve, nëse zgjedhjet do të mbaheshin nesër do t’i jepnin mandatin qeverisës Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj. Por miqtë e mi, zgjedhjet nuk do të mbahen nesër. Dhe zgjedhje në Shqipëri nuk do të ketë pa garantuar kushtet dhe standardet që kurrë më krimi dhe kriminelët, hajdutët dhe oligarkët, të mos diktojnë një tjetër fallco-parlament dhe një tjetër fallco-qeveri.”

Lideri i opozitës shojegoi se në një vit e gjysëm Edi Rama e shndërroi Shqipërinë në vendin e parë në botë pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë funksionale, duke u hequr qytetarëve dhe opozitës të drejtat bazë në një demokraci të vërtetë.

“Asgjë nuk do të përparojë, asnjë dialog nuk do të nisë, pa larguar shkaktarin dhe arkitektin e narko-shtetit. Dhe mesazhi që kumbon kudo është ky: Nuk do të ketë më demokraci fallco, nuk do të pranojmë më parlament fallco, nuk do të pranojmë më drejtësi fallco, nuk do të pranojmë më ekonomi fallco. Është koha për Shqipërinë e demokracisë së vërtetë, lirisë së vërtetë, Shqipërinë e vlerave të vërteta evropiane.”

Basha theksoi rëndësinë jetike që ka vendi për ndryshim dhe drejtësi të vërtetë.

Duke sjellë në vëmendje se gjatë qeverisë së Edi Ramës u liruan nga burgu apo iu lehtësua dënimi bandave më të rrezikshme, ngecjen 5 vjeçare të integrimit, lideri i opozitës tha se largimi i tij është një emergjencë kombëtare.

“Nesër vendi do të ketë një drejtësi të vërtetë, jo me dy standarde, por me një standard, jo një drejtësi që burgos të pafajshmit, fukarenjtë, që s’paguajnë dot faturat e dritës, që nuk ushqejnë dot fëmijët me bukë, ndërkohë që ministrat e korruptuar e të lidhur me krimin livadhisin, kalërojnë, këndojnë karaoke, dhe nuk gjejnë dot vend të mjaftueshëm për të fshehur tonelatat e thesit të eurove që kanë vjedhur nga populli më i varfër. Janë kapur duke vjedhur. Ata do të jenë në burg, ata do të jenë para drejtësisë, dhe jo qytetarët e pafajshëm. Ndaj, pika e parë e ndryshimit që po vjen është drejtësia që nuk do t’i mbrojë, por do t’i japë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve të lidhur me krimin. Do t’i çojë në burg ata që janë kapur duke vjedhur votat e shqiptarëve, lekët e shqiptarëve, pasuritë e shqiptarëve.”

Kreu i opozitës u bëri thirrje shqiptarëve t’i bashkohen protestës së 13 Prillit për t’i dhënë vetes dhe vendit mundësinë te drejtohen nga një qeveri, e cila, përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme”, do ta lidhë fatin e saj me atë të qytetarëve.

“Kjo është beteja që duhet të çojmë deri në fund përpara ndeshjes në kushte të barabarta, ku padyshim, Partia Demokratike ka një program fitues dhe ju ofron ndryshimin për jetën e çdo shqiptari. Që nga të rinjtë dhe sistemi arsimor, që nga biznesi i vogël dhe fermerët, tek biznesi prodhues dhe shtresa e mesme e pensionistët. Ne kemi një program që do ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza ekonomike, dhe ne e dimë se ky program është programi fitues në zgjedhje, prandaj sfida jonë është që ta bëjmë realitet një orë e më parë. Duhet të krijojmë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme, kushte të cilat nuk mundet dot të krijohen pa larguar Edi Ramën, pa larguar kupolën e tij, të kapur duke vjedhur zgjedhjet e 2017-s, në bashkëpunim me krimin e organizuar.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *