Vendosni fjalën kyçe....

Ekonomia e Shqipërisë primitive, bujqësia dominon 19% të PBB-së, më e larta në Europë


Edhe pse Shqipëria nuk plotëson as 50% të nevojave të konsumit të brendshëm me prodhime bujqësore, sektori i bujqësisë ka peshën më të lartë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto në Europë, madje me një diferencë të thellë.

Sipas të dhënave nga databaza e Bankës Botërore që i përkasin vitit 2017, bujqësia zuri 19% të PBB-së me një diferencë prej 10 pikë përqindje me Kosovën si vendi i dytë me peshën më të lartë të bujqësisë në Europë.

Siç shihet nga të dhënat e grafikut të mëposhtëm, pesha e bujqësisë në ekonominë shqiptare është së paku 6 herë më e lartë se mesatarja e Europës dhe trefishi i mesatares rajonale.

Në Maqedoni, bujqësia zuri 7.9% të PBB-së, në Malin e Zi 6.8%, në Turqi 6.1%, në Serbi 6%, në Bosnjë 5.6% dhe në Kosovë 9.1%. Pesha e sektorit vjen gjithnjë e në ulje në vendet e Europës ku pesha e bujqësisë luhatet mes 0.5 deri në 3% të PBB-së.

Gjithashtu Shqipëria u rendit 36-ta në botë për peshën e lartë të bujqësisë në ekonomi, në krah të vendeve afrikane.

Sipas statistikave të Bankës Botërore, struktura e ekonomisë së rajonit ku përfshihen Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia dominohen nga shërbimet, të cilat zënë nga 51-71% të ekonomisë në varësi të vendeve.

Shqipëria edhe pse ka 316 kilometër vijë bregdetare, industria e shërbimeve zë peshën më të ulët në ekonomi në vetëm 51%, në krahasim me vendet e tjera. Në Maqedoni, sektori i shërbimeve zë 64% të ekonomisë, në Malin e Zi mbi 71% për shkak se vendi fqinjë e ka zhvilluar ekonominë bazuar në industrinë e turizmit nëpërmjet modelit të resorteve.

Në Bosnjë, sektori i shërbimeve zë 64.8% të ekonomisë, në Serbi 59%, ndërsa në Kosovë 57.4%.

Ndryshe nga rajoni, bujqësia paraqitet dominante në strukturën ekonomisë shqiptare. Edhe pse vendi ynë është një importues neto i prodhimeve bujqësore, ka copëzimin më të lartë të tokës në krahasim me rajonin dhe me një zhvillim spontan të paorganizuar, pesha e bujqësisë në strukturën e ekonomisë është gati sa trefishi i rajonit.

Manifaktura është ajo që bën diferencën. Në rajon, kjo degë ka dyfishin e peshës në krahasim me Shqipërinë. Në vendin tonë, ajo zë vetëm 5.6% të peshës në ekonomi, ndërsa në Bosnjë 13.2%, në Kosovë 13.2% në Maqedoni 11.8% të ekonomisë, në Malin e Zi, 4.9% dhe Serbia ka peshën më të lartë të manifakturës në ekonomi, me 19.1%.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *