Banorët e Bregut të Lumit janë zgjuar të terrorizuar sot që në orët e para të mëngjesit, nga forcat e policisë. Qindra policë kanë rrethuar zonën ndërsa fadromat u kanë ardhur te porta për të shembur banesat.
Burra, gra e fëmijë kanë dalë për të ndaluar shembjen duke u kontfrontuar me policinë. Një pjesë e banorëve janë shoqëruar në komisariat. Sikurse shihet në videon e mëposhtme, policët janë të pajisur me skafandra, ndërsa banorët mes lotësh tërhiqen e një pjesë e tyre gjuan me gurë. Po ashtu edhe një i moshuar shihet i gjakosur në fytyrë.
Si pasojë e përplasjeve mes policisë dhe banorëve pati të lënduar nga të dyja palët. Sakaq është zbuluar identiteti i personave të cilët ndodhen sot në urgjencën e spitalit të Traumës.
Policë
Gerald Shabani- goditje në kokë
Bledar Deliu- goditje në parakrah
Arben Canaku- goditje në dorë
Protestuesit
Hazur Manderi- shembje në kokë
Flora- Mandri- shembje në gju
Xhabir Mandri dhe Destan Muca dëmtime të lehta
Një nga banoret e shtruara në spital, Flora është vizituar nga ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu.
“Na kanë hedhur gaz në kohën që na kanë marrë neve në polici lart. Atëherë e kanë hedhur gazin. Unë kam dhimbje të madhe për Zotin”, thotë zonja e cila gjendet në spital.
Pasi kundërshtuan shembjen e banesave të tyre, një pjesë e banorëve janë shoqëruar në Komisariatin Nr 4, ku sipas PD-së po mbahen edhe gra e fëmijë. Pas tensioneve, në një deklaratë për mediat, ish-deputetja Jorida Tabaku denoncoi dhunën e ushtruar nga policia ndërsa deklaroi se 76-vjeçari që në videon e mësipërme shihet i gjakosur, po operohet.
“Që në orët e para të mëngjesit këta banorë janë zgjuar nga forca të shumta të policisë, po të shikoni kanë rrethuar gjithë zonën, duke izoluar banorët, duke izoluar banesat. Dhuna e ushtruar sot është e paprecedentë. Tre banorë në këto momente janë në spitalin e Traumës. Një 76-vjeçar është duke u operuar.
Gjashtë të tjerë janë shoqëruar, ndërmjet të cilëve gra dhe fëmijë. Një zonjë ka thyer këmbën. Unë isha në Komisariatin 4 tani dhe s’mora dot asnjë informacion. Dhuna që po ushtrohet sot është e paprecedentë.
Ky shtet që ka kriminalizuar çdo strukturë, ky shtet që solli drogën, që i nxiu faqen Shqipërisë nuk ka sjellë aq forca policie as për kriminelët, ndërkohë që për gratë, banorët e për fëmijët sot ka ngritur gjithë policinë e shtetit.
Është e paprecedendë ajo që po ndodh në këtë zonë. Është e paprecedentë shkelja e ligjit nga ana e shtetit ku po dhunohet prona, banesa. Është e paprecedentë dhuna shtazarake. Unë jam pa fjalë. Dje zonjat që kanë mbrojtur shtëpitë e tyre, sot janë dhunuar dhe janë rrahur.”, tha Tabaku.
Sakaq ka nisur shembja e banesave të para në zonën e rrethuar nga policia. As mediat dhe as ish-deputetët nuk lejohen të afrohen.
Tensione pati edhe në protestat e ditës së djeshme, ku gratë dolën në rresht të parë duke u përplasur me policinë e fadromat ndërsa burrat u ngjitën në majë të çative.
Banorët e Bregut të Lumit, preken nga zgjatimi i “Bulevardit të Ri”, që pasi është ndërtuar në 3 segmentet e para të tij do shtrihet edhe në segmentin e katërt deri në Bregun e Lumit. Ata kërkojnë që të dëmshpërblehen ashtu siç ka ndodhur me banorët e dy loteve të para të Bulevardit, duke qenë se loti 1 dhe loti 2 janë dëmshpërblyer për banesat e tyre edhe pse i kanë pasur ato të palegalizuara. Në këtë zonë janë 38 familje që duhet të zhvendosen për t’i hapur rrugën zgjerimit të Bulevardit të ri të Tiranës që nuk kërkojnë asgjë tjetër përveçse të kompesohen./Hashtag.al