Një grabitje me armë ka ndodhur para pak çastesh brenda aeroportit të Rinasit.
Disa persona kanë grabitur një mjet të blinduar që transportonte para ndërsa mësohet se nga shkëmbimi i zjarrit ka humbur jetën një person.
Mjeti që kanë përdorur grabitësit ka qenë pa targa me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” ndërsa dyshohet se pas ngjarjes ata janë larguar drejt Fushë-Krujës.
Grabitësit kanë pasur të veshur rroba ushtarake ndërsa nuk ka ende hollësi të tjera. Policia dhe RENEA kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë vendosur pika kontrolli në rrugën Rinas-Valias.
Paratë po dërgoheshin në Rinas për t’u transoportuar më pas jashtë vendit ndërsa nuk dihet ende se cilës kompani i përkisnin.
Njoftimi i policisë
Pak minuta më parë, pranë aeroportit ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’, në Rinas, dyshohet se disa persona ende të paidentifikuar, me maska dhe armë pasi kanë thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, kanë grabitur një sasi lekësh në pistën e avionit dhe janë larguar.
Në ndjekje të tyre janë vënë forcat e FNSH dhe ato të Policisë Kufitare të Rinasit.
Gjatë ndjekjes në një rrugë dytësore, autorët kanë shkëmbyer zjarr me Policinë, e gjatë këtij shkëmbimi ka humbur jetën njëri prej autorëve të grabitjes. Policia ka gjetur ndërkohë dhe bllokuar një mjet fugon.
Forca speciale policore si RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një helikopter janë ende në ndjekje të autorëve të grabitjes.
Të angazhuara në operacionin e gjerë janë edhe forca nga Policia e Tiranës, Lezhës, Dibrës e Durrësit’, thotë policia në një njoftim paraprak. /Hashtag.al