Java e librit e cila organizohet me rastin e 10 vjetorit të Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, startoi dje. Një diskutim shkencor për librin e dy profesorëve të nderuar, Prof.Dr Aristotel Pano dhe Akademik Prof.Dr Anastas Angjeli, “Paraja, Bankat dhe Shoqëria”, bashkoi pedagogë të fushës së ekonomisë, studentë e të ftuar të tjerë.
Përmes këtij diskutimi, u analizuan vlerat e punimit jo vetëm për profesionistët e fushës, por edhe për studentët e qytetarët. Diskutimi përcolli një frymë sa profesionale aq edhe miqësore i konceptuar ndryshe, në një mjedis të dashur për librin si “Unur art lounge”, ku ekspertët e fushës u ndjenë të lirë të diskutojnë qetësisht dhe me argumente të zgjeruar.
Gjuha e thjeshtë dhe e kuptueshme e përdorur në libër, mundëson një informacion të munguar më parë për këdo.
“Debatet për paranë, politikën monetare, sistemin bankar dhe monedhën janë debate të vazhdueshme që i kanë shërbyer zhvillimit të mëtejshëm të shoqërisë dhe vetë institucioneve”- u shpreh një nga autorët e librit Akademik, Prof- Doktor Anastas Angjeli.
I ftuar në këtë diskutim shkencor, libri u vlerësua nga një prej ekspertëve me të njohur të ekonomisë, Ardian Civici i cili u shpreh se “udhëtimi” në faqet e këtij libri është realist i pasur dhe i argumentuar, historik dhe shkencor, informues dhe i dobishëm, me bazë të fortë për fushën, temën dhe çështjet që trajton.
“Ky libër vjen për lexuesit si një domosdoshmëri e kërkuar nga zhvillimet dhe ngjarjet ekonomike që e kanë dominuar ekonominë botërore këto 10 vitet e fundit, mbas krizës financiare globale”-u shpreh Civici.
Në diskutimin e tij, pedagogu i Fakultetit të Ekonomisë, Tonin Kola nënvizoi vlerën që ka shpjegimi kronologjik për historinë e sistemeve monetare.
“Ky libër përveçse një analizë e rrallë, një literaturë e munguar në Shqipëri, është një libër nga i cili gjithkush mëson qartë se zhvillimi i një shoqërie kërkon zhvillimin e sistemeve monetare dhe anasjelltas. Është një libër të cilin pasi e lexon me kuriozitet dëshiron t’i rikthehesh. Jam i bindur që do të jetë një ndihmë e rrallë për studiuesit, studentët dhe të gjithë ata që do ta kenë në duar”- u shpreh për librin Tonin Kola.
Dekani i Fakultetit të Ekonomisë në UMSH, Alqi Naqellari bëri një analizë edhe më të detajuar të librit duke theksuar se libri është ndërtuar mbi një strukturë të saktë e të logjikshme duke shtjelluar edhe më në brendi vlerat e tij.