Vendosni fjalën kyçe....

Jorida Tabaku: Jam pa fjalë nga dhuna te Bregu i Lumit, i bëj thirrje Avokatit të Popullit, Prokurorisë dhe ambasadorëve


Pas situatës së tensionuar te Bregu i Lumit, ish-deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku ka një thirrje për Avokatin e Popullit, Prokurorinë dhe ambasadorët e vendeve të huaja, që të shohin dhunën e ushtruar te Bregu i Lumit.

Tabaku kërkoi nga Policia që të tërhiqej, ndërsa tha se vetë shteti ka shkelut ligjin duke dhunuar 30 banorë të varfër e të pambrojtur.

Që në orët e para të mëngjesit këta banorë janë zgjuar nga forca të shumta të policisë, po të shikoni kanë rrethuar gjithë zonën, duke izoluar banorët, duke izoluar banesat.

Dhuna e ushtruar sot është e paprecedentë. Tre banorë në këto momente janë në spitalin e Traumës.  Një 76-vjeçar është duke u operuar.

Gjashtë të tjerë janë shoqëruar, ndërmjet të cilëve gra dhe fëmijë. Një zonjë ka thyer këmbën. Unë isha në Komisariatin 4 tani dhe s’mora dot asnjë informacion.

Dhuna që po ushtrohet sot është e paprecedentë.

Ky shtet që ka kriminalizuar çdo strukturë, ky shtet që solli drogën, që i nxiu faqen Shqipërisë nuk ka sjellë aq forca policie as për kriminelët, ndërkohë që për gratë, banorët e për fëmijët sot ka ngritur gjithë policinë e shtetit.

Është e paprecedendë ajo që po ndodh në këtë zonë. Është e paprecedentë shkelja e ligjit nga ana e shtetit ku po dhunohet prona, banesa. Është e paprecedentë dhuna shtazarake. Unë jam pa fjalë. Dje zonjat që kanë mbrojtur shtëpitë e tyre, sot janë dhunuar dhe janë rrahur.

Që në orët e para të mëngjesit fëmijët janë zgjuar nga zhurma e këtyre makinerive e nuk janë lejuar të shkojnë në shkollë. Kanë mbi 5 muaj që luftojnë për të drejtën e tyre, pronën e tyre.  Sot arriti kulmi kur i tërhoqën zvarrë dhe i nxorën nga shtëpitë.

Nuk kemi informacion për disa nga banorët që janë akoma të ngujuar.

Historia e Bulevardit për të gjithë banorët që s’e kanë të qartë është e tillë:

Këto banorë duan të trajtohen njësoj si 200 familjet e para të Bulevardit, duan të dëmshpërblehen për pronën e tyre, duan të trajtohen njësoj përpara ligjit e po i kërkojnë shtetit të zbatojë ligjin dhe Kushtetutën.

I bëj thirrje Avokatit të Popullit të vijë dhe të shohë dhunën që po ushtrohet këtu. I bëj thirrje prokurorisë të vijë dhe të hetojë të gjitha shkeljet e policisë së shtetit, policisë bashkiake dhe kryetarit të bashkisë Erion Veliaj.

I bëj thirrje të gjithë ambasadorëve që të vijnë të shohin se si po dhunohet prona. Prona që është prioritet i BE-së, prona që duhet të ishte themeli i të drejtës së çdo njeriu, prona që duhet ta mbrojnë të gjithë, sot po shkelet me dy këmbë.

Këta njerëz nuk po kërkojnë diçka që nuk është e tyre, po kërkojnë diçka që e kanë ngritur me mund e me gjak që kanë 5 muaj që e kërkojn të dëgjohen.

I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës e të gjithë Shqipërisë që të vijnë të ngrihen. Nesër do jetë vonë. Nesër do vijnë te shtëpia jonë. Sot fëmijët e mi, fëmijët e politikanëve janë ngrohtë nëpër shkolla nëpër çerdhe, ndërsa sot këta fëmijë në mes të shiut sot janë duke u dridhur duke mbrojtur shtëpinë e tyre.

I bëj thirrje policisë të mos ushtrojë më dhunë ndaj grave ndaj fëmijëve, i bëj thirrje të tërhiqen. Nesër do të jetë vonë për këta banorë e për Shqipërinë.

Sot konfirmojmë edhe njëherë që Parlamenti nuk ekziston, shteti nuk ekziston, sot i gjithë shteti ka dhunuar 30 banorë të varfër e të pambrojtur.”, tha Tabaku.

Ndër të tjera, Tabaku shprehu shqetësimin për banorët që vijojnë të jenë të ngujuar në banesa, pasi nuk përgjigjen më në tëlëfon, si edhe për ata që ndodhen te spitali i Traumës.

“Ju e patë dje se banorët nuk kishin asnjë informacion se do vinte policia dhe do fillonte prishjet, apo çfarë do ndodhte. Unë, zoti Balliu dhe z.Bumçi jemi lidhur me banorët që na njoftuan se çfarë po ndodhte. Tani nuk përgjigjen më në telefon.

Disa prej tyre janë brenda shtëpive. Një pjesë ishin te Komisariati 4, unë i takova. Një pjesë janë të shoqëruar në komisariat, Ndërsa një pjesë janë te spitali i Traumës sepse të afërmit e tyre janë duke u operuar. Një 76-vjeçar i cili është çarë në kokë nga forcat e policisë tanimë po operohet.

Nuk mund të bëjnë dot më shumë sepse nuk luftojnë dot me forcat e policisë. Sot i kanë kapur të papërgatitur dhe i kanë kapur dhe i kanë shoqëruar.

Kjo që ka ndodhur këtu nuk besoj se ka ndodhur në asnjë vend tjetër të Shqipërisë, nuk besoj se ka ndodhur as në ndonjë vend tjetër të botës së tretë.”, tha Tabaku.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *