Nga grabitja në Rinas nuk ka akoma informacion rreth emrave të autorëve të dyshuar. Deri më tani informacione anonime të bëra publike në emisionet televizive bëjnë me dije se është arrestuar një person madje ai është edhe i plagosur.
Ka qenë drejtuesja e emisionit “Dritare” Rudina Xhunga e cila ka ndarë këtë informacion. Më tej edhe gazetari Blendi Fevziu në emisionin “Opinion” ka bërë me dije të njëjtin informacion.
Por nga ana e policisë nuk ka asnjë deklaratë zyrtare për arrestime apo shoqërime të ndryshme të personave që mund të kenë lidhje me ngjarjen.
Madje deklarata e fundit e policisë rreth kësaj ngjarje ka qenë vetëm informacioni paraprak që prej orës 16:30.
Njoftimi i policisë:
Informacion paraprak
Pak minuta më parë, pranë aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas, dyshohet se disa persona ende të paidentifikuar, me maska dhe armë pasi kanë thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, kanë grabitur një sasi lekësh në pistën e avionit dhe janë larguar.
Në ndjekje të tyre janë vënë forcat e FNSH dhe ato të Policisë Kufitare të Rinasit.
Gjatë ndjekjes në një rrugë dytësore, autorët kanë shkëmbyer zjarr me Policinë, e gjatë këtij shkëmbimi ka humbur jetën njëri prej autorëve të grabitjes. Policia ka gjetur ndërkohë dhe bllokuar një mjet fugon.
Forca speciale policore si RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një helikopter janë ende në ndjekje të autorëve të grabitjes.
Të angazhuara në operacionin e gjerë janë edhe forca nga Policia e Tiranës, Lezhës, Dibrës e Durrësit.