Vendosni fjalën kyçe....

Palmer: Të gjithë ata që janë përfshirë në korrupsion duhet të kenë frikë


Në një intervistë dhënë për Top Channel Zv.Ndihëms i Sekretarit Amerikan të Shtetit Matthew Palmer ka folur për reformën në drejtësi dhe korrupsionin. Palmer u pyet për deklaratat e Ambasadës së SHBA-ve se “reforma në drejtësi nuk do të ndalet” dhe nëse ka ndonjë shqetësim në këtë drejtim.

“Mendoj se ka gjithmonë shqetësim se personat që përfshihen në praktika korruptive, persona që përfitojnë nga një sistem që është i shtrembër, do të punojnë kundër përpjekjeve për reforma, do të punojnë për të mbajtur, për të ruajtur një sistem nga i cili, me përkufizim, përfitojnë” – tha Palmer i cili shtoi se vendi i tij është angazhuar thellësisht në këtë reformë.

Pretendimeve dhe akuzave për përdorim të standardeve të dyfishta në procesin e vettingut, Palmer iu përgjigjet kështu: “Jemi të përkushtuar për të punuar për t’i forcuar këto institucione dhe për t’u siguruar që askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk i largohet llogaridhënies, e se pavarësisht çfarë burimesh përdorin dhe sa para kanë, ligji do të aplikohet në mënyrë të barabartë, që ligji do të aplikohet drejt dhe të gjithë japin llogari”.

Palmer komentoi edhe procesin e refuzimit të vizave për gjykatësit dhe prokurorët e konsideruar të korruptuar duke theksuar se SHBA-të po përdorin të gjitha mjetet për të mbështetur luftën kundër krimit të organizuar, për të mbështetur luftën kundër korrupsionit, për të mbështetur llogaridhënien, transparencën dhe qeverisjen e mirë.

Pyetjes “kush e ka radhën?” Palmer iu përgjigj duke qeshur: “Nuk kam ndërmend të bëj parashikime për të ardhmen, por do të them se të gjithë zyrtarët publikë që janë përfshirë në praktika korruptive, që janë përfshirë në shkeljen e besimit që iu kanë dhënë qytetarët shqiptarë, të gjithë duhet të kenë frikë”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *