Dyshohet se shuma e grabitur brenda aeroportit të Rinasit, është rreth 10 milionë euro.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme ku 4 persona të armatosur i janë afruar në pistë një avioni të linjës Tiranë-Vjenë, brenda të cilit ndodheshin 160 pasagjerë.
Më pas ata kanë kërcënuar me armë rojet e makinës së blinduar që transportonte të hollat dhe pasi i kanë detyruar ata të shtrihen përtokë kanë marrë thasët me euro dhe janë larguar me shpejtësi.
Në dalje ata janë përplasur me policinë dhe nga shkëmbimi i zjarrit ka marrë plumba një prej grabitësve të dyshuar i cili është gjetur më pas i vrarë pak kilometra nga Rinasi.
Ndërkohë në Kamëz dhe Shkallën e Tujanit janë gjetur dy makina të djegura ndërsa në vendin ku u gjet trupi i njërit prej grabitësve është gjetur edhe një furgon me armë.
Deri tani policia ka shoqëruar 40 persona, mes të cilëve edhe punonjës sigurie të aeroportit.