Aeroporti i Rinasit do merret në mbrojtja nga ushtria.
Vendimi është dhënë nga ministrja e Mbrojtjes, Xhaçka, e cila në një deklaratë për mediat tha se përgjegjësia për ngjarjen bie mbi koncesionarin kinez të aeroportit ndërkombëtar të Rinasit.
Xhaçka tha se ngjarja e ndodhur është shumë e rëndë dhe paralajmëroi ndëshkim penal për përgjegjësit.
“Ngjarja që ndodhi dje në aeroportin e Rinasit ishte sigurisht një ngjarje e rëndë. I bashkohem shqetësimit të qytetarëve dhe kolegëve, që diçka e tillë, nuk mund të ndodhë në një zonë të rëndësisë së veçantë. Ajo që tashmë dihet nga analiza dhe hetimi është se, mekanizmat e sigurisë, që janë nën përgjegjësinë e kompanisë kineze koncensionare të aeroportit, kanë dështuar tërësisht.
Koncesionari ka dështuar të përmbushë përgjegjësitë e tij për garantimin e parametrave të sigurisë fizike dhe nuk ka zbatuar standardet e detyrueshme të sigurisë, që përcaktohen nga legjislacioni vendas dhe nga Organizata Botërore e Aviacionit Civil. Kjo është një shkelje e papërgjegjshme dhe shume e rende e legjislacionit shqiptar, për të cilën, shpresoj dhe besoj që përgjegjësitë penale të jenë konkrete.
Kjo situatë kërkon një ndërhyrje urgjente, sepse ne nuk mund të lejojmë të cënohet as siguria e qytetarëve dhe as imazhi i vendit. Për këtë arsye, në kushtet e një papërgjegjshmërie të përsëritur të koncesionarit për të respektuar detyrimet e tij ligjore për garantimin e sigurisë së aeroportit, kam urdhëruar që në perimetrin e sigurisë së aerportit ‘Nënë Tereza’ të vendosen efektivë të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura.” – tha Xhaçka.
Ajo shtoi më tej se vendosja e ushtrisë në objektet e rëndësisë së veçantë është një praktikë e ndjekur edhe në kryeqytetet e ndryshme europiane ndërsa theksoi se do bëhet gjithçka për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
“Po ashtu, duke qenë që në një distancë fare të shkurtër nga Aeroporti i Rinasit ndodhet e vendosur edhe Komanda Ajrore e Forcave të Armatosura, kam urdhëruar që edhe Policia Ushtarake të dislokohet në këtë komandë, duke ju bashkuar kështu Policisë së Shtetit për ta mbështetur atë në garantimin e sigurisë së aeroportit. Dua t’i garantoj të gjithë qytetarët, që siguria e tyre është prioriteti ynë kryesor dhe askush nuk duhet të vërë në dyshim vendosmërinë tonë për të bërë gjithçka për ta garantuar atë.” – mbylli ministrja.