Gruaja e Admir Muratajt, personit që dyshohet se ka mbetur i vrarë gjatë grabitjes së djeshme në Rinas është shoqëruar në polici.
Gruaja e Muratajt ndodhet në ambientet e Policisë së Tiranës, ku po merret në pyetje për ngjarjen.
Edhe pse në mediat greke që prej ditës së djeshme ka qarkulluar lajmi se Admir Murataj është personi që ka mbetur i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, policia ende nuk ka bërë asnjë njoftim zyrtar për këtë.
Edhe vëllait i personit që ka grabitur miliona euro edhe më parë, thotë se familja e tij ka nisur të marrë ngushëllime por ende nuk di asgjë për fatin e Admirit.
“Zyrtarisht nuk dimë gjë për vëllanë, policia nuk na ka thënë asgjë. Familja jonë po merr ngushëllime, kërkoj të di nëse është Admiri”, është shprehur i vëllai i Muratajt.
Sipas gazetares Klodiana Lala, trupi i pajetë i grabitësit ka pësuar plagë të shumta, gjë që e bën edhe më të vështirë indetifikimin e tij. Sipas gazetares, duhet mbledhja e tetë elementëve, të cilët do çojnë zyrtarisht në identifikimin e plotë.
Admir Murati është arratisur së bashku me 10 shqiptarë të tjerë nga burgu i Trikalas në vitin 2013.
Pas arratisjes së tij, më 16 maj 2013, ai kishte grabitur një bankë në Lamia së bashku me një shqiptar tjetër dhe shuma e vjedhur tejkalonte një milion euro. Gjithashtu, më vonë, mori pjesë në një grabitje në një supermarket në Perister.
Ditën e djeshme pesë banditë të armatosur me armë dhe granata kaluan rrethimin e aeroportit me një fugon dhe neutralizuan punonjësit e sigurisë që po ngarkonin çantat me para në avionin me destinacion Vienën. Nën kërcënimin e armëve, ata morën çantat me para , i ngarkuan në kamion dhe u larguan.
Një punonjës lajmëroi policinë që i ndoqi ata dhe në një shkëmbim zjarri një nga grabitësit u vra. Sipas mediave greke, ky është Admir Murataj, mirëpo ende nuk kemi një konfirmim zyrtar nga policia shqiptare.