Konfirmohet se personi i mbetur i vrarë gjatë grabitjes në Rinas, është Admir Murataj. Identifikimi i tij është bërë vetëm pak minuta më parë, nga gruaja e tij.
Gruaja e Admir Muratajt, paraditen e sotme është shoqëruar në polici, ku është marrë në pyetje për ngjarjen.
Edhe pse në mediat greke që prej ditës së djeshme ka qarkulluar lajmi se Admir Murataj është personi që ka mbetur i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, policia ende nuk ka bërë asnjë njoftim zyrtar për këtë.
Më herët në një prononcim për ‘News 24″,vëllai i Muratajt tha se familja e tij ka nisur të marrë ngushëllime por ende nuk di asgjë për fatin e Admirit.
“Zyrtarisht nuk dimë gjë për vëllanë, policia nuk na ka thënë asgjë. Familja jonë po merr ngushëllime, kërkoj të di nëse është Admiri”, është shprehur i vëllai i Muratajt.
Policia shqiptare ka komunikuar vazhdimisht me atë greke, duke shkëmbyer informacione lidhur me Murataj, i cili rezulton atje i dënuar.
Admir Murataj është arratisur së bashku me 10 shqiptarë të tjerë nga burgu i Trikalas në vitin 2013.
Pas arratisjes së tij, më 16 maj 2013, ai kishte grabitur një bankë në Lamia së bashku me një shqiptar tjetër dhe shuma e vjedhur tejkalonte një milion euro. Gjithashtu, më vonë, mori pjesë në një grabitje në një supermarket në Perister.
Ditën e djeshme pesë banditë të armatosur me armë dhe granata kaluan rrethimin e aeroportit me një fugon dhe neutralizuan punonjësit e sigurisë që po ngarkonin çantat me para në avionin me destinacion Vienën. Nën kërcënimin e armëve, ata morën çantat me para , i ngarkuan në kamion dhe u larguan.
Një punonjës lajmëroi policinë që i ndoqi ata dhe në një shkëmbim zjarri një nga grabitësit u vra, Admir Murataj i cili sot u identifikua nga e shoqja.