Vendosni fjalën kyçe....

“Kazan, kazan”, por fyhet nga “kazani” – Përplasja e parë juridike e Ramës me një gazetar


Kryeministri Edi Rama ka hedhur në gjyq gazetarin e parë. Që kur Rama ka ardhur në krye të qeverisë, nuk është ndalur me sharjet dhe ofendimet ndaj medieve dhe gazetarëve, duke i quajtur “kazan” e së fundmi edhe “kadrinj”.

Por pavarësisht se shpesh i mëshon faktit se “Kazani”, pra mediet janë pa vlerë, kryeministri ynë duket se gjithsesi ndihet i fyer nga ato.  Në datën 31 Janar ai ka paditur gazetarin Ylli Rakipi për një shkrim të publikuar prej tij në nëntor 2018.

“I padituri, në një shkrim të gjatë e të artikulluar si qëndrim-vlerësim të vetin personal jashtë çdo elementi provues apo baze objektive, merr përsipër të etiketojë paditësin publikisht e në mënyrë të vazhdueshme gjatë të gjithë shkrimit me shprehjet më fyese, përçudnuese e diskretituest që njeh fjalori i gjuhës shqipe si ‘Palaço’, me një ‘sëmundje të përparuar…’, me ‘deformim të madh të personalitetit’ po me ‘…një personalitet të deformuar’, duke vijuar me goditjen në adresë të Paditësit duke përdorur shprehjet tejet banale e të rënda si ‘gjysmaku që dita ditës vret veten pak nga pak’ e më tej me deklarimin e Paditësit si ‘gjysmak me inteligjencë poshtë mesatares’, shkruhet në padi.

Sipas Ramës, artikulli i Rakipit i ka “cënuar perceptimin në publik në mënyrë të pakthyeshme” dhe për këtë arsye kërkon përgënjeshtrim dhe dëmshpërblim në masën 1 milionë lekë.

Por pasi është njoftuar për padinë e Ramës, gazetari Ylli Rakipi është përgjigjur me një kundërpadi. Rakipi tha se është vetë kryeministri Rama që i ka fyer gazetarët gjatë gjithë kësaj kohe, ndërsa shtoi se nuk është detyra e kryeministrit të rregullojë mediat.

“Kryeministri Edi Rama ka bërë padi kundër meje për fyerje të dinjitetit të tij. Unë kam bërë kundërpadi sepse ai e ka fyer dhe nëpërkëmbur dinjitetin e gazetarëve dhe timin personal, sa ka mundur dhe si ka mundur.

Është një rast shumë i çuditshëm kur shkon në gjyq një njeri që është ndoshta njeriu më gojështhurur, që nga viti 1912 në qeveritë e vendit. Ju e keni ndjekur dhe e dëgjoni fjalorin që ai përdor për ne gazetarët dhe çfarë thotë e deklaron. Po ju sqaroj për faktin që ky gjyq është politik, është përpjekje e vazhdueshme e kryeministrit Rama që unë të mbyll emisionin, ti vë fre emisionit ‘Të Paekspozuarit’ që ka goditur aferat korruptive, koncesionet apo PPP, siç i quan Edi Rama.

U them që kjo është padi e ngritur nga regjimi, që ndryshon formën, nuk kemi më regjimet e Adolf Hitlerit apo Enverit. Regjimet e reja janë ato regjime që të privojnë liritë. Janë regjime që nuk i lirojnë liritë dhe ti nuk mundesh, ky i ka vënë fre gjithçkaje, blen mediat dhe ka pronë mbi gjithë pushtetet e vendit. Përfshirë këtu pushtetin e katërt. Kundërpadia që kam bërë për kryeministrin Rama, do t’i kërkoj autoriteteve që të nisë procesi të vijojë me dyer të hapura dhe të shohim se kush është njeriu  që fyen dinjitetin dhe personalitetin e njerëzve, që është në këtë rast kryeministri Edi Rama.

Unë besoj se me atë padi që Edi Rama ka bërë për mua, vetëm një Gjykatë e Erdoganit mund të më dënojë. Unë jam i bindur në drejtësinë e Gjykatës, sado probleme që kanë sot gjyqtarët shqiptarë të vënë përpara presioneve të Vettingut dhe presioneve të tjera të Ramës. Unë besoj te drejtësia, ka njerëz të ndershëm, por ka edhe njerëz që nuk mund të japim verdikte të gabuara, siç është ky që do ta ndiqni në proces.

Media ka problemet e veta të panumërta, por kryeministri nuk është rregullator i saj. Përndryshe ai është një diktator. Ai ka të drejtë të bëjë padinë siç e ka bërë, ka të drejtë të vijë në gjykatë, por nuk është kryeministri ai që rregullon median, nuk është ai që duhet ta vërë nën pushtetin e vet median. Edi Rama është diktator i tipit të ri, amerikano-latin, i tipit të Putinit, apo Reccep Erdoganit.”, tha një ditë më parë Rakipi para kamerave.

Në shkrimin me titull “A mund të lidhet Edi Rama” që ka zemëruar aq shumë Ramën (Lexo këtu), Rakipi komenton personalitetin e kryeministrit përmes ironisë. Sipas tij, Rama gjithmonë ka bërë gjëra për të cilat nuk ka patur asnjë aftësi, pikturën, basketbollin, politikën dhe po shkon drejt vetëvrasjes (në mënyrë figurative). Po ashtu Rakipi shkruante se Rama po kërkon të ndalojë fjalën e lirë.

Kryeministri Rama në shumë raste i ka akuzuar mediet për shpifje, mirëpo kjo është hera e parë që çon në gjyq një gazetar. Politikanë ka paditur edhe më parë, si kur ka qenë në opozitë ashtu edhe në pushtet, por Rakipi është i pari gazetar i hedhur në gjyq prej tij.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *