Vendosni fjalën kyçe....

Komisioneri Publik ankimon vendimin për Donika Prelën: Të shkarkohet nga detyra!


Komisioneri publik ka ankimuar vendimin për konfirmimin në detyrë të shefes së Krimeve të Rënda, Donika Prela.

Kjo e fundit u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në seancën e 5 shkurtit. Prela u konfirmua në detyrë pavarësisht vërejteve të vëzhguesit të ONM-së lidhur me mospagimin e taksave nga bashkëshorti i Prelës.

Në seancën dëgjimore, KPK vlerësoi se Prela ka mosdeklarim të huamarrjes me 1 milion lekë në tetor të 2010-ës. Ndërkohë ka dyshime për huamarrje 25 mijë euro në vitin 2010, të cilën e ka kthyer në 2014.

“Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 103, datë 5.2.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Donika Prela, magjistrate/prokurore, drejtuese në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.

Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, vlerëson se bazuar në provat dhe faktet e administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, subjekti i rivlerësimit, znj. Donika Prela, nuk plotëson kushtet për konfirmimin në detyrë.

Nëpërmjet këtij ankimi, Komisioneri Publik kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë publike dhe, në përfundim të gjykimit, të ndryshojë vendimin nr. 103, datë 5.2.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Donika Prela.

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. – thuhet në deklaratën e Komisionerit Publik.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *