Ish-deputeti Luan Rama shkruan se pas grabitjes duhej nisur menjëherë ccështje penale ndaj të gjithë drejtuesve që kanë në përgjegjësi sigurinë e aeroportit duke përfshirë edhe policië, doganat, Aviacionin Civil dhe anëtarët e tyre.
“Menjëherë pas sulmit të një grupi të armatosur kriminal në pistën e aeroportit ndërkombëtar të Tiranës, do të duhej të kishte nisur çështja penale edhe ndaj të gjithë anëtarëve të Komitet Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil, i cili është i ngarkuar edhe për sigurinë e Aeroportit Nënë Tereza, pa asnjë përjashtim, duke nisur me kryetarin e tij që është Drejtori i Autoritetit Civil dhe nënkryetarin që është Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe me radhë të gjithë anëtarët e tij; Drejtorin e Doganave, Drejtorin e Kufirit, Komandantin e Forcave Ajrore, Drejtorin e Emergjencave Civile, Drejtorin ANTA-s dhe shumë e shumë zyrtarë të tjerë të lartë”-shkruan Rama.
Më tej Rama, thekson se të gjitha veprimet duhej të ndërmerreshin që ditën e djeshme pa pritur daljen e Presidentit.
“Dhe do të duhej që po prej dje, jo prej mbrëmë, po prej dje në drekë menjëherë pas ngjarjes, të ishin ndaluar të gjithë drejtuesit e institucioneve përgjegjëse anëtarë të Komitetit Kombëtar të Sigurisë së Aviacionit Civil, pa pritur që Presidenti i Republikës t’i ofronte sot zyrtarisht prokurorisë praktikën e mbledhjeve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare!
Të gjitha këto do të duhej të ishin bërë që dje në drekë, menjëherë pas sulmit të armatosur të një bande kriminelësh në pistën e aeroportit të Tiranës, po të kishte Prokurori!
Nëse do të kishte Prokurori!”-deklaron Rama.
Më tej shkruan se edhe qeveria është përgjegjëse për mosveprimin pas ngjarjes dhe se duhet të analizojë të gjitha detajet rreth ngjarjes dhe të marrë përgjegjësitë.
“Qeveria duhej të ishte mbledhur dje menjëherë pas ngjarjes së rëndë në një mbledhje të jashtë zakonshme dhe të analizonte në detaje veprimet dhe mosveprimet e saj e të të gjitha institucioneve të varësisë!
Të analizonte çdo detaj e në shenjë përgjegjësie e reflektimi të jepte dorëheqjen!
Jo vetëm Kryeministri, por e gjithë qeveria të jepte dorëheqjen!
Sepse kështu do të vepronte çdo qeveri e çdo kryeministër në çdo vend demokratike!
Sepse është sfiduar, është mundur e turpëruar në sektorin ku do të duhej që siguria të ishte garantuar në cilësinë më të lartë, siç e kërkojnë standardet e sigurisë së lartë të vendeve anëtare të NATO-s.
Mirëpo në Shqipëri nuk ka qeveri; ka banda që grabisin në aeroport, por ka edhe banda që përfaqësohen në qeveri!”-shkruan Rama.