Vendosni fjalën kyçe....

Netanyahu e nis ku e la, kryeministër i Izraelit për herë të pestë


Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka arritur të mbajë pushtetin, duke fituar një mandat të pestë në detyrë.

Rezultatet paraprake nga zgjedhjet e së martës në Izrael kanë bërë që partia e djathtë e Netanyahut, Likud, të marrë 35 vende nga një total prej 120 vendesh Knesset (parlamenti i Izraelit).

Ai do të jetë kryeministri i ri i Izraelit, tashmë që janë numëruar më shumë se 98% e votave.

Edhe pse partia e Netanyahut, LIKUD dhe ajo e rivalit të tij, Benny Gantz, Kahol Lavan, kanë marrë secila nga 35 vende në parlament, partitë e spektrit të djathtë kanë gjithsej 65 vende në parlament përkundrejt 55 vendeve që mbajnë partitë e majta.

Krerët e partive të djathta kanë deklaruar se do jenë pjesë e koalicionit qeverisës të Netanyahut dhe do i kërkojnë presidentit të vendit që të mandatojë ish-kryeministrin në formimin e qeverisë së re.

Të dy kandidatët deklaruan fitoren pas përfundimit të votimit dhe daljes së rezultateve të para megjithatë Netanyahu pritet të jetë kreu i qeverisë së re, duke vijuar aty ku e la.

Netanjahu është zgjedhur kryeministër për herë të parë në vitin 1996 deri në 1999 ndërsa qëndron në pushtet që prej vitit 2009.

LIKUD arriti një fitore dërrmuese në Jerusalem me 25% të votave kundrejt 12% të votave që mori Kahol Lavan, kurse kjo e fundit arriti një fitore të thellë në Tel Aviv me 46% të votave teksa LIKUD mori vetëm 19%.

Edhe në qytetin e tretë më të madh në vend, Haifa, partia e Benny Gantz doli fituese me 33% të votave kurse LIKUD e Netanyahut mori 24% të votave.

Pas kësaj fitoreje, Netanyahu bëhet kryeministri më jetëgjatë në pushtet i Izraelit. Pas kësaj fitoreje, kryeministrit të ri i duhet të përcaktojë partitë me të cilat do qeverisë.

Ai mund të kërkojë të formojë një qeveri centriste me rivalin e tij Gantz, por sipas të gjitha gjasave nuk do e bëjë këtë por do të kërkojë një qeveri të spektrit të djathtë. /Hashtag.al

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Haaretz


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *