Edhe pse ka kaluar një ditë nga grabitja që ndodhi në Rinas, policia ende nuk ka dhënë asnjë njoftim zyrtar lidhur me autorët e ngjarjes.
Nga grabitja e 10 milionë eurove, Policia e Shtetit është mjaftuar vetëm me një njoftim zyrtar ditën e djeshme në orën 16:30, ku nuk jepeshin shumë detaje.
” Pak minuta më parë, pranë aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas, dyshohet se disa persona ende të paidentifikuar, me maska dhe armë pasi kanë thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, kanë grabitur një sasi lekësh në pistën e avionit dhe janë larguar.
Në ndjekje të tyre janë vënë forcat e FNSH dhe ato të Policisë Kufitare të Rinasit. Gjatë ndjekjes në një rrugë dytësore, autorët kanë shkëmbyer zjarr me Policinë, e gjatë këtij shkëmbimi ka humbur jetën njëri prej autorëve të grabitjes. Policia ka gjetur ndërkohë dhe bllokuar një mjet fugon.
Forca speciale policore si RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një helikopter janë ende në ndjekje të autorëve të grabitjes. Të angazhuara në operacionin e gjerë janë edhe forca nga Policia e Tiranës, Lezhës, Dibrës e Durrësit.”, thuhej në njoftimin e policisë.
Por ndërkohë që policia shqiptare nuk ka zbuluar më shumë të dhëna për autorët, mediat greke e kanë publikuar me emër e mbiemër autorin e vrarë.
Sipas Ant1 ai është Admir Murataj, i cili është arratisur së bashku me 10 shqiptarë të tjerë nga burgu i Trikalas në vitin 2013.
Pas arratisjes së tij, më 16 maj 2013, ai kishte grabitur një bankë në Lamia së bashku me një shqiptar tjetër dhe shuma e vjedhur tejkalonte një milion euro.
Gjithashtu, më vonë, mori pjesë në një grabitje në një supermarket në Perister.
Pesë banditë të armatosur me armë dhe granata kaluan rrethimin e aeroportit me një fugon dhe neutralizuan punonjësit e sigurisë që po ngarkonin çantat me para në avionin me destinacion Vienën. Nën kërcënimin e armëve, ata morën çantat me para, i ngarkuan në kamion dhe u larguan.
Një punonjës lajmëroi policinë që i ndoqi ata dhe në një shkëmbim zjarri një nga grabitësit u vra.
Në media është publikuar gjithashtu ingormacioni se policia ka shoqëruar mbi 40 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, mes tyre dhe punonjës të sigurisë së aeroportit. Ndërkohë në studiot televizive, janë bërë publike informacione anonime sipas të cilave është arrestuar një person, madje ai është edhe i plagosur.
Ka qenë drejtuesja e emisionit “Dritare” Rudina Xhunga e cila ka ndarë këtë informacion. Më tej edhe gazetari Blendi Fevziu në emisionin “Opinion” ka bërë me dije të njëjtin informacion.
Por nga ana e policisë nuk ka asnjë deklaratë zyrtare për arrestime apo shoqërime të ndryshme të personave që mund të kenë lidhje me ngjarjen. Deklarata e vetme dhe e fundit e policisë rreth kësaj ngjarje është ajo e orës 16:30./Hashtag.al