Vendosni fjalën kyçe....

Një medalje ari dhe dy argjendi, Briken Çalja: Do vazhdoj të luftoj që himni i vendit tim të dëgjohet në gjithë botën!


Pas fitores që arriti në Kampionatin Europian të peshëngritjes, Briken Çalja ka falenderuar fansat duke thënë se ata janë krenaria e tij më e madhe.

“Një medalje ari dhe dy argjendi! Rezultat historik dhe një ndjenjë krenarie e papërshkrueshme teksa këto dy vite arritëm të ngremë flamurin shqiptar në majat e Evropës. 

Ju falenderoj të gjithëve për mbështetjen nga i pari e deri tek i fundit. Mbështetja juaj është krenaria ime më e madhe. I jam mirënjohës të gjithëve që më ndenjën pranë dhe më mbështetën.  Do të vazhdoj të luftoj që himni i vendit tim të ndëgjohet në pedanet e krejt botës mbarë. 

Faleminderit , faleminderit, faleminderit! Brikeni“, shkruan Çalja në rrjetet sociale.

Ditën e djeshme Çalaj arriti të siguronte një medalje ari dhe dy argjendi në kampionatin europian të peshëngritjes “Batumi 2019”, që po mbahet në Gjeorgji.

Çalja triumfoi në stilin e shkëputjes, ku e mbylli garën me 156kg pas tri provave dhe duke u konfirmuar kampion Europe.

Në provën e parë, Calja ngriti me sukses 152kg, ndërkohë që shtangisti nga Shtërmeni nuk dështon edhe në provën e dytë, ku ngre lart me sukses 156kg. Në provën e tretë shtangisti kuqezi tentoi 160kg, për të vendosur rekord të ri europian, por pa sukses. Gjithsesi, ai e kishte siguruar të artën.

Në stilin e shtytjes, Briken Calja e nisi me 183 kilogramë, por provën e parë e dështoi. Ndërkohë, ia doli me sukses në provën e dytë, po me të njëjtën peshë në shtangë.

Ndërkohë, në provën e tretë dështoi, kur kishte 188 kilogramë për të ngritur. Calja e përfundoi i dyti, duke marrë medaljen e argjendtë në stilin e shtytjes.

Ndërkohë, në dygarësh, Calja doli sërish në vendin e dytë, teksa ngriti në total 339 kilogramë. Në vendin e parë, bullgari Andrev Bozhidar, ndërsa në vendin e tretë, bjellorusi Vadzim Likharad.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *