Vendosni fjalën kyçe....

Një tjetër furgon i djegur në Tapizë, dyshimet e para


Një tjetër furgon i djegur është gjetur mëngjesin e sotëm në afërsi të Tapizës. Policia ka nisur hetimet nëse gurgoni i djegur ka lidhje me grabitjen e ditës së djeshme në aeroportin e Rinasit.

Paraprakisht dyshohet se brenda furgonit ka pasur granata dhe kallashnikov dhe i është vënë flaka për të humbur gjurmët. Një automjet tjetër u gjet i djegur dje mes Tapizës dhe Bathores që dyshohej se është përdorur nga grabitësit për t’u larguar nga aeroporti. Mjeti është shkrumbuar totalisht.

Por pas gjetjes së furgonit, dyshohet se ka qenë ai mjeti i përdorur nga autorët për t’u arratisur, ndërsa makina e gjetur e djegur dje në Kamzë u përdor për të devijuar grupin hetimor.

Grabitja ka ndodhur pasditen e djeshme, ku 4 persona të armatosur i janë afruar në pistë një avioni të linjës Tiranë-Vjenë, brenda të cilit ndodheshin 160 pasagjerë.

Më pas ata kanë kërcënuar me armë rojet e makinës së blinduar që transportonte të hollat dhe pasi i kanë detyruar ata të shtrihen përtokë kanë marrë thasët me euro dhe janë larguar me shpejtësi.

Në dalje ata janë përplasur me policinë dhe nga shkëmbimi i zjarrit ka marrë plumba një prej grabitësve të dyshuar i cili është gjetur më pas i vrarë pak kilometra nga Rinasi. Ky person mendohet se është Adfmir Murataj.

Deri tani policia ka shoqëruar 40 persona, mes të cilëve edhe punonjës sigurie të aeroportit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *