Vendosni fjalën kyçe....

Rama hesht për grabitjen, Lleshaj sulmon opozitën e Balluku fajëson koncesionarin


Pas grabitjes së djeshme në pistën e aeroportit të Rinasit, nuk ka ende asnjë deklaratë nga ana e kryeministrit Rama.

Ndërkohë që nuk lë ngjarje, punë të qeverisë pa komentuar e publikuar, kësaj radhe nuk ka thënë ende asnjë gjysmë fjale për ngjarjen e rëndë. 

Ndërkohë dy vartësit e tij në qeveri, ministri i Brendshëm, Lleshaj dhe ministrja e Infrastrukturës, Balluku, rendën të fajësojnë opozitën dhe koncesionarin.

Ministri Lleshaj, postoi në rrjetet sociale një deklaratë ku u mor më shumë me reagimin e sekretarit të PD-së, Bardhi për ngjarjen sesa me grabitjen.

“Edhe në momentin e një përplasjeje me armë të Policisë së Shtetit me një grup të armatosur kriminal, zëdhënësi/sekretari i një partie antiparlamentare sulmon ….. Policinë!!! Megjithatë të gjithë shqiptarët janë në krah të Policisë së Shtetit në luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar. Kjo luftë nuk mund të ndalet nga askush!” – shkruajti Lleshaj në “Facebook”.

Ndërkohë Balluku nga Berlini ia hodhi përgjegjësinë për ngjarjen koncesionarit kinez të aeroportit ndërkombëtar të Rinasit ndërsa paralajmëroi për masa të ashpra nga ana e shtetit për shtimin e sigurisë në Rinas.

“Kjo është një ngjarje shumë e rëndë dhe e përsëritur për fat të keq. Të gjitha përpjekjet e autoriteteve shtetërore për t’i imponuar kompanisë kineze, që mban në koncesion Aeroportin e Rinasit, investimet e nevojshme në sistemin e sigurisë, nuk janë dëgjuar ashtu si duhet. Sistemi i sigurisë ka rënë përsëri dhe përsëri grabitësit kanë mundur të hyjnë deri në pistë, duke provuar se në këto kushte aeroporti është i kërcënuar lehtësisht, deri edhe nga akte më të rënda se kaq. Ky është një alarm, që këtë herë s’duhet të kalojë dhe s’do të kalojë, vetëm me nxjerrjen para drejtësisë të personave përgjegjës nga radhët e teknikëve dhe punëtorëve të TIA për sigurinë.

Këtë herë shteti duhet dhe do të thotë shumë shpejt një fjalë më shumë. Fakti që aeroporti njësoj si të gjithë aeroportet në Evropë, nuk mbrohet e as garantohet në sigurinë e vet nga Policia e Shtetit, po nga sistemi i sigurisë së vetë kompanisë, nuk do të thotë aspak se ne duhet e do të rrimë me duart të lidhura. Aspak. Shteti do të flasë qartë dhe do të veprojë me të gjithë fuqinë e detyrimit për të garantuar sigurinë dhe funksionimin normal të aeroportit të vetëm ndërkombëtar të vendit”. – shkruante Balluku.

Rama nga ana e tij, ditën e djeshme por edhe të sotmen e ka kapërcyer në heshtje grabitjen e rëndë në aeroportin e Rinasit, duke postuar në rrjetet sociale rikonstruksionin e një shkollë të përfunduar para disa muajsh si dhe masat ndëshkimore të ministres së Drejtësisë. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *