Arrestohet Julian Assange, themeluesi i “Wikileaks”-it. Ai u arrestua sot në ambasadën e Ekuadorit në Londër.
Themeluesi i një prej kanaleve më të mëdha të publikimit të informacioneve sekrete u strehua në këtë ambasadë 7 vjet më parë, me qëllim që të shmangte ekstradimin në Suedi për një çështje te një sulmi seksual.
Argumentimi i Assange-it për ekstradimin drejt Suedisë pati të bëjë me qëllimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat sipas tij mund të shfrytëzonin dërgimin drejt Suedisë për ta arrestuar për publikimin e kabllogrameve të diplomatëve amerikanë.
Mediet botërore raportojnë arrestimin, teksa citojnë burimet zyrtare britanike për prangosjen.
“Mbështetësi i Assange, gazetari John Pilger u bëri thirrje njerëzve javën e fundit që të mbushnin rrugën para ambasadës për ta mbrojtur dhe për t’i treguar solidaritetin këtij burri të guximshëm”, raporton “The Guardian”.
Autoritetet amerikane nuk kanë konfirmuar kurrë zyrtarisht që kanë ngritur akuza ndaj themeluesit të “Wikileaks”-it por në nëntor të vitit të kaluar u zbulua në se në një dokument të arkivuar në një çështje tjetër, akuzat kriminale mund të ishin duke u përgatitur ndaj tij, në fshehtësi.
Gjatë procesit gjyqësor, në dokumentet që ishin futur gabimisht nga prokurorët amerikanë, u përmendën akuza kriminale ndaj dikujt të quajtur “Assange”, edhe pse nuk ishte ky emri i të pandehurit për të cilin po zhvillohet gjyqi.
Analistët ligjorë e komentuan këtë moment si të shkaktuar nga gabimi i prokurorëve në procesin e kopjimit të dokumenteve.
Në muajin mars Assange-it në Ambasadën e Ekuadorit iu ndërpre aksesi në internet dhe iu ndaluan vizitat.