Vendosni fjalën kyçe....

Arta Marku përplaset me Sokol Malajn: Mbledhjen e drejtoj unë, dilni jashtë!


Në Asamblenë e sotme të Prokurorëve ka ndodhur një përplasje mes kryeprokurores së Përkohshme Arta Marku dhe prokurorit Sokol Malaj. Në mbledhjen e thirrut nga Marku për të bërë zëvendësimin e Antoneta Sevdarit, ish-anëtare e KLP-së, është paraqitur si kandidat vetëm emri i Vatë Stakës.

Prokurori Sokol Malaj, kërkoi ndryshim të rregullores, që të shtohet pjesa që “kandidati quhet fitues nëse merr 50 plus një”.

Këtu nisi një përplasje mes një grupi prokurorësh dhe Markut, e cila ndërpreu mbledhjen për disa minuta.

Në rinisje të mbledhjes, Marku tha: “Konstatohet se ka kërkesë për ndryshim tip të fletës së votimit. Kjo fletë votimi nuk mund të ndryshohet. Fleta e votimit ka vetëm një emër deri tani, gara ka qenë e hapur dhe mund te kishit kandiduar. Propozimi është i ligjshëm, por ne kemi një praktikë te konsoliduar nga votimi i mëparshëm. Mendoj qe mund të vazhdojmë me rendin e ditës, ankimi mund të behet brenda afateve. Nuk lejohen replikat”.

Mirëpo këtu ka vazhduar përplasja, pasi Malaj ka marrë sërish fjalën dhe ka kërkuar që të hidhet në votë propozimi i tij: “Të nderuar kolegë ne e dime se zgjedhja duhet bërë mes disa kandidaturash. Ky është një parim kushtetues. Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme thotë me frymën e ligjit. Me kë fryme ligji? Ne duhet te hedhim propozimin në votë, dhe asambleja vendos”

Pas këtyre fjalëve, Marku i kërkoi Malajt të dalë nga mbledhja: “Kush nuk do të marrë pjesë në votim, të largohet. Pastaj ankimet bëhen në gjykatën e Apelit. Dilni jashtë. Mbledhjen e drejtoj unë”, është shprehur Marku.

Por Prokurori i është përgjigjur se ajo nuk mund t’i kërkojë të largohet nga mbledhja.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *