Kryetari i PD-së, Basha, është treguar i ashpër ndaj kryeministrit Rama, ministrit Lleshaj dhe prokurorisë lidhur me grabitjen e ndodhur në Rinas para dy ditësh.
Basha theksoi se grabitjet kanë nisur me instalimin e Ramës në pushtet ndërsa tha se grabitja në Rinas mund të duhet të ishte parandaluar.
Basha tha se kompania që merret me sigurinë e aeroportit ka lidhje me personat të afërt me kryeministrin Rama dhe ministren e Infrastrukturës, Balluku.
Ndërsa përmendi faktet që sipas tij do kishin mjaftuar për të parandaluar grabitjen e Rinasit.
“Ngjarja e Rinasit dhe grabitja tronditi gjithë Shqipërinë. Si përherë Rama nuk di gjë, nuk ka parë gjë. Ai e ka mendjen të vjedhë vendin.
Grabitjet me armë në Rinas, grabitjet me eksploziv të bankave, postave e bizneseve kanë filluar me instalimin e Edi Ramës në pushtet.
Grabitja me armë në Rinas është rënia e shtetit. Një grabitës i kërkuar ndërkombëtarisht shëtit i lirë në Shqipëri dhe planifikon grabitjen. Policia e ka mendjen të mbysë popullin me gaz. 48 orë pas ngjarjes fakte tronditëse kanë dalë në dritë.
Ngjarja mund dhe duhet të ishte parandaluar nëse do zbatohej urdhri 130 që kërkon që policia të shoqërojë dhe ruajë vlerat monetare mbi shumën 950 milinë lekë. Lleshaj i bëri bisht faktit si ka mundësi që ai që u etiketua si truri i bandës jo vetëm që nuk u kap këto 6 vjet por planifikoi dhe kreu 3 grabitje.
Rama shkeli Kushtetutën duke emëruar gjeneral Lleshajn kryetar të Aviacionit Civil. Nën drejtimin e Lleshajt, në Rinas kanë ndodhur 3 grabitje.
Kompania që nuk ka garantuar sigurinë në Rinas është në pronësi të avokatit të PS-së dhe Ramës, Eno Bushi kurse bashkëshortja Joana Bushi ka qenë drejtore kabineti e Belinda Ballukut kur kjo ishte shefe e ANTA-s.
Pse nuk u zbatua urdhri numër 130?
Çfarë përgjegjësie ka kompania ku aksionerë janë njerëz pranë Ramës dhe Ballukut?
Pse Lleshaj u vendos në shkelje të Kushtetutës në krye të Aviacionit Civil dhe nën drejtimin e tij kanë ndodhur 3 grabitje në Rinas?
A janë shteti dhe organet e rendit përgjegjëse vetëm për paaftësi dhe shkelje të ligjit apo kemi bashkëpunim të segmenteve të caktuara të shtetit për organizimin e grabitjes?
Si u arratisën grabitësit me thasët me disa milionë euro në këmbë pasi dogjën makinat?”