“Qeveria justifikohet si gjithmonë! Shqiptarët s’duan të dëgjojnë më ” Ndodh kështu në gjithë botën, bëhen edhe filma”, deklaroi sot kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.
Kryemadhi në daljen e saj për mediet, për grabitjen e 10 milionë eurove në aeroportin “Nënë Tereza” tha se qeveria justifikohet si gjithmonë.
” U ikën përgjegjësive të saj, si gjithmonë….duke u dhënë mbështetje kriminelëve, të cilët nuk ndihen aspak të rrezikuar nga forca e ligjit por të mbështetur nga qeveria.
Qytetarët shqiptarë shohin që arrestohen nga policia dhe thirren nga prokuroria ata që kanë ndërtuar me gjak shtëpitë e tyre.
Të gjithë ia hedhin fajin njëri-tjetrit… duke bërë deklarata boshe dhe demagogjinë e radhës.
Tashmë është një provë e qartë e dështimit të kësaj qeverie.”, theksoi Kryemadhi.
Duke përdorur një frazë të ministres Elisa Spiropali për ngjarjen e përdhunimit të një të miture në Kavajë, Kryemadhi u shpreh: “Shqiptarët nuk duan të dëgjojnë më “po ndodh kështu në të gjithë botën, bëhen dhe filma” me ngjarje të tilla”.
“Kemi një polici të demotivuar, pagesat e së cilës janë në kushte çnjerëzore.
Kemi një ministri të Brendshme, ku deklaron se është cënuar siguria kombëtare, kemi ministrinë e Mbrojtjes që thotë nuk është cënuar.”, vazhdoi më tej kryetarja e LSI.
Kryemadhi lajmëroi protestën e ardhshme të opozitës më 13 prill, duke thënë se do të jetë protesta e pedagogëve dhe studentëve, e cila do të jetë masive.
“Do të jetë protestë që ne të gjithë t’i japim fund tranzicionit”, u shpreh Kryemadhi.