Templates by BIGtheme NET

Paradoksi me projektet në Kroaci, paratë jepen nga BE-ja, tenderat i fiton Kina

Në Kroaci po zhvillohet takimi “16+1”, që synon të rrisë ndikimin ekonomiko-politik të Kinës në Europë.

Ura e “Pelješac”-it, e cila do të lidhë dy pjesë të Kroacise të ndara nga një rrip toke prej 2.4 kilometrash, që i takon Bosnje-Hercegovinës, konsiderohet një projekt mjaft ambicioz.

Sipas përllogaritjeve, ai do të kushtojë 420 milionë euro, 85 për qind e të cilave janë fonde të BE-së.

Por, tenderin nuk e ka siguruar ndonjë kandidat nga Bashkimi Europian. Fituesja e tij ishte sipërmarrja shtetërore kineze “China Road and Bridge Corporation”. Përveç çmimit të lirë, “CRBC” është zotuar se do ta mbarojë këtë ndërtim 6 muaj para afatit të parashikuar.

Ky nuk do të jetë projekti i fundit kinez në Kroaci. Pas samitit BE-Kinë në Bruksel, kryeministri kinez Li Keqiang vazhdoi rrugën drejt këtij vendi, ku në datat 10-12 prill mbahet samiti i 8 i ashtuquajtur “16+1”, që nënkupton 16 vende të Europës Jugore, Juglindore e Qendrore, përfshirë Shqipërinë.

Por, nisur nga fakti që ndër to janë 11 vende të BE-së, kjo në Berlin do të interpretohet sërish si një përpjekje e re e Kinës për të vendosur një pykë në Bashkimin Europian, thotë “Deutsche Welle”.

Në Kroaci, Li Keqiang do të nënshkruajë 10 marrëveshje dypalëshe, mes të cilave edhe një memorandum bashkëpunimi të Entit shtetëror kroat të Digjitalizimit me prodhuesin kinez të telefonëve, Huawei.

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto