Ditën e sotme kryeministri Edi Rama ishte në një takim me studentë në Qytetin Studenti, me të cilët diskutoi për rikonstruksionin e konvikteve.
Në një kohë kur opozita flet për zgjedhje të parakohshme, Rama bën premtime para studentëve për konviktet që do t’i rikonstruktojë deri në fund të mandatit të tij të dytë qeverisës.
“Paralelisht po punojmë me Bashkinë e Tiranës me kampusin, është një projekt shumë ambicioz, kemi problem serioz rimarrjen e hapësirave.
Po përgatisim edhe gjithë inventarin e nevojshëm për shpronësimet ndërkohë që projekti i ndërtimit të hapësirave të reja, qoftë të natyrës rekreative, qoftë akademike është duke u realizuar.
Besoj që deri në fund të këtij mandati, të gjithë konviktet e Shqipërisë do jenë rindërtuar me këto standarde. Për një pjesë të mirë të dhomave ndërhyrja do bëhet gjatë verës.
Me fillimin e mandatit të ri të Bashkisë së Tiranës do të ecim me punën për kampusin. Është një investim goxha i madh por do bëhet.
Ashtu siç do fillojnë në fund të këtij viti e në fillim të vitit të ardhshëm investimet e tjera për auditorët etj”, deklaroi Rama.
Një tjetër premtim që Rama bëri, është se do të investojë për arsimin e lartë më shumë se 30 vitet të marra së bashku.
Sakaq ai nuk ngurroi t’i kritikoi studentët për bojkotin e tyre, të cilëve u tha se e kanë fajin vetë për shtyrjen e sezonit, si rezultat edhe shtyrjen e rikontruksionit të godinave, pavarësisht se ishin protestat e tyre që i kujtuan Ramës të angazhohej në këtë drejtim, e madje të ndryshonte gjysmën e kabinetit qeverisës.
“Tani do fillojmë me dhomat po na dhatë kohë. Vetë e keni fajin për shtyrjen e sezonit. Thonit ‘bojkot, bojkot bojkot’.
E zgjatët vetë deri në korrik. Mbase del ndonjë bllokim tjetër dhe e shtyni prap deri në gusht. E zgjatët vetë, në vend që të shkonit në korrik me pushime do rrini këtu në mes të vapës.”, tha Rama.