Kryeministri Edi Rama ka thënë se vendosja e trupave ushtarake në aeroport është diçka që ndodh në shumë vende të Europës.
Nëpërmjet një postimi në “Instagram”, kreu i qeverisë shkruan se kjo vjen si reagim ndaj akteve cënuese për sigurinë dhe infrastrukturën aeroportuale.
“Forcat ushtarake në aeroportet e Parisit, Venecias, Frankfurtit dhe Amsterdamit, janë vendosur ashtu si në plot vende të tjera të Europës dhe botës demokratike, si reagim ndaj akteve cënuese për sigurinë e infrastrukturave aeroportuale dhe qytetarëve që i përdorin ato. Ndërkohë beretat e kuqe të policisë sonë ushtarake janë vendosur thjesht në ruajtje të perimetrit të jashtëm të sigurisë. Prandaj kush flet për shkelje kushtetute, gjendje lufte, juntë ushtarake e marrëzira të tjera si këto, le të gjejë ndonjë arsye tjetër për të treguar se sa shumë i dhimbsen Kushtetuta dhe standardet demokratike.” – shkruan Rama.
Partia Demokratike i është përgjigjur Ramës lidhur me deklaratën e tij për vendosjen e trupave ushtarake në Rinas.
Në një postim në rrjetet sociale, ish-deputeti Strazimiri, shkruan se vendosja e trupave ushtarake në aeroportet e Europës vjen kur ka rrezik terrorist dhe jo kur në aeroport ka grabitje, për më tepër nga një bandë që e ka bërë këtë edhe 3 herë të tjera.
“Në Paris, Frankfurt, Amsterdam, ushtria del në mbrojtje të popullatës nga një sulm USHTARAK, paramilitarësh TERRORISTË, kur rreziku konsiderohet IMINENT ose I PASHMANGSHËM, jo kundër bandës që ka hyrë në aeroport 3 herë rrjesht…nga e njëjta derë… Po, ka ndodhur njëherë në fillim të viteve ’90 në Siçili që ushtria doli në rrugë me blinda kundër MAFIA-s, po ky nuk është rasti ynë… Këtu MAFIA është në qeveri…” shkruan Strazimiri në faqen e tij në “Facebook”.