Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vënë në sekuestro pronat e ish-deputetit socialist, Arben Ndoka, si dhe të familjarëve të tij.
Sipas Vizion Plus, që citon burime nga prokuroria, pronat janë sekuestruar në kuadër të hetimeve të nisura në vitin 2016 që kanë të bëjnë me “Dosjen 339”.
Pronat e e sekuestruara janë rreth 300 mijë metra katrorë tokë në Lezhë e Shëngjin në zonat, Mali i Rrenzit, Shëngjin, Rana e Hedhur, Laguna e Lezhës, si dhe disa apartamente në plazh.
Pronat e sekuestruara kapin një vlerë prej reth 40 milionë euro. Prokuroria pretendon se kjo sipërfaqe toke, e gjitha në bregdet është përfituar në mënyrë të jashtëligjshme e duke falsifikuar dokumentat.
Dy prokurorët që vendosën për sekuestron e kësaj pasurie janë Vladimir Mara e Dritan Prençi. Ndoka dhe disa familjarë të tij u arrestuan muaj më parë në kuadër të operacionit Volvo 4, ndërsa aktualisht Ndoka është në arrest shtëpie.