Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama, ka thënë se vendimi për vendosjen e ushtrisë në aeroportin e Rinasit është në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe ligjit.
Ai theksoi nenin 173 i Kushtetutës që përcakton qartësisht se kur urdhërohet përdorimi i ushtrisë.
“Sepse, sipas Neni 173 të Kushtetutës, Forcat e Armatosura përdoren në kushtet kur:
- Në rast rreziku për rendin kushtetues dhe për sigurinë publike, Kuvendi, me kërkesë të Këshillit të Ministrave, mund të vendosë në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit gjendjen e jashtëzakonshme, e cila zgjat për aq kohë sa vazhdon rreziku, por jo më shumë se 60 ditë.
- Me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme ndërhyrja e forcave të armatosura bëhet me vendim të Kuvendit dhe vetëm kur forcat e policisë nuk janë në gjendje të rivendosin rendin.
Ndërsa në ligjin “Për Pushtetet dhe Autoritetet e Drejtimit dhe të Komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, në nenin 22, për përdorimin e Forcave të Armatosura gjatë gjendjes së jashtëzakonshme thuhet:
- Gjendja e jashtëzakonshme vendoset me ligj nga Kuvendi, sipas dispozitave të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
- Me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, Forcat e Armatosura, me vendim të Kuvendit, pas kërkesës së Këshillit të Ministrave, mund të ndërhyjnë për rivendosjen e rendit, vetëm kur forcat e policisë nuk janë në gjendje ta kryejnë këtë detyrë”.
Pra, si Kushtetuta, ashtu edhe ligji, nuk lenë asnjë ekuivok apo hapësirë, që për të rivendosur rendin, Ministri i Mbrojtjes (ministrja në rastin tonë), të urdhërojë e përdorë Forcat e Armatosura.” – shkruan Rama.
Më tej ai thekson se para se ushtria të vendoset në Rinas duhet që të flasë prokuroria pas hetimit të plotë të çështjes dhe urdhri për përdorimin e ushtrisë jo vetëm që nuk duhet zbatuar por duhet denoncuar me forcë teksa thekson se më parë Xhaçka duhet të përgjigjet “se mbi ç’bazë kushtetuese dhe ligjore është bazuar urdhëri i saj, dhe nëse është marrë më parë mendimi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura apo jo për këtë urdhër?
E sipas të njejtës logjikë, cili ka qenë ose është qëndrimi i Shtabit të Përgjithshëm?
A është Shqipëria në kushtet kur Policia e Shtetit dhe strukturat e Ministrisë së Brendëshme nuk garantojnë dot rendin dhe sigurinë publike, meqë kjo është detyra dhe misioni kushtetues i tyre, që të lindë nevoja e përfshirjes së Forcave të Armatosura ne detyra që kanë të bëjnë me sigurinë e rendit publik?” – shkruan Rama në reagimin e tij në “Facebook”.