Banorët e Bregut të Lumit kanë denoncuar dhunën dhe trajtimin çnjerëzor që u është bërë nga efektivët e policisë.
Në një deklaratë për Fax News, banorët dëshmojnë se policia jo vetëm i ka dhunuar në mes të natës të së hënës dhe duke u gdhirë e marta, por u kanë bërë presion dhe i kanë terrorizuar.
Ata kanë deklaruar se edhe pse në spital të dhunuar, policia ka këmbëngulur në arrestimin e një pjese banorësh, ndërsa kanë lëshuar akuza të rënda në drejtim të policëve që morën pjesë në arrestimin e meshkujve të lagjes si dhe në terrorizimin e femrave, pleqve dhe fëmijëve të mitur.
“Na kanë dhunuar e terrorizuar në shtëpitë tona që i kemi ndërtuar me lekë djerse. I kemi rritur fëmijët me buke e pa bukë. Na bëjnë presion të mos dalim të mbrojmë shtëpitë dhe në spital kanë ardhur duke na arrestuar. Na kanë ardhur që në 5 të mëngjesit si kriminelë. Vijnë e na bëjnë presion e kërkojë arrestimin e të gjithë të rinjve të lagjes” – thotë njëra nga banoret.
Një tjetër banore ka deklaruar se nuk kanë ku të shkojnë pasi me prishjen e shtëpisë dalin në rrugë të madhe.
Banorët kanë bërë thirrje për dëmshpërblim ndërsa kërkojnë që policia të mos arrestojë më banorët që kanë dalë për mbrojtjen e banesave.