Një imam nga Peja, Ramë Blakaj, ka humbur jetën një ditë më parë dhe dyshohet se shkak është bërë kontakti me energjinë elektrike. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në xhaminë e fshatit Novosellë të Pejës.
“Me datën 11.04.2019 është informuar Policia për një rast në Novosellë në Pejë nga dëshmitarët e ngjarjes. Patrulla ka arritur në vend dhe ka vërejtur viktimën në dysheme. Në vendngjarje ka arritur emergjenca me ekipin. Hetimet për këtë rast kanë filluar, ndërsa me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në obduksion”, ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë në Pejë, Driton Rugova.
Të afërmit e imamit e kanë konfirmuar gjithashtu lajmin përmes rrjeteve sociale.
“Njoftojmë të gjithë shokët e dashamirët, se imami Ramë Blakaj, ka ndërruar jetë në moshën 39 vjeçare, pas një aksidenti. E dhimbshme dhe e rëndë për familjen që humbi edhe një djalë, dy muaj pas vdekjes së vëllaut Argzonit (40)”, thuhet në njoftim.
“Klan Kosova” shkruan se imami Ramë Blakaj, është me prejardhje nga fshati Vrellë e Istogut, por detyrën e tij si imam e ushtronte në xhaminë e fshatit Novosellë.
Vetëm dy muaj më parë, Blakajt i kishte vdekur vëllai i tij 40 vjeçar.