Vendosni fjalën kyçe....

Fabula e dorezës së zezë dhe gallatat e zbardhjes së grabitjes 10 milionë euro


 

Mjafton një fabul, për të kuptuar se sa serioze janë institucionet tona.

Një ditë të bukur në aeroportin e vetëm që kemi grabiten 10 milionë euro. Gazetarët nisen nxitimthi për të mbuluar ngjarjen në terren, ndërsa nisin të qarkullojnë lajmet e para nëpër portale se një prej grabitësve është plagosur, që më vonë shpallet i vdekur.

Media greke “ANT1” jep e para emrin e të vrarit gjatë grabitjes, ndërsa institucionet tona heshtin.

Serioziteti i institucioneve lëkundet mes heshtjes që tregon paaftësinë e menaxhimit të situatës duke shmangur çdo konfirmim të mundshëm të emrit të të vrarit, që automatikisht do kish rrëfyer më shumë rreth autorëve të skemës së grabitjes dhe një fakti tjetër. Për çfarë është fjala?!

Në vendin ku u gjend makina e tretë, e cila ishte shkrumbuar brenda një tuneli në Tapizë, u vu re fare pranë edhe një dorezë  e zezë. Dhe është pikërisht kjo dorezë e zezë që i zbërthen të gjitha.

Atë jo vetëm e zbuluan gazetarët, e cila mbase do kishte shërbyer si prova kyçe për gjurmët e grupit të grabitësve, por edhe pasi e zbuluan pyetën me të drejtë policinë: “A është provë, a ju duhet ta merrni?” Me përgjigje negative, gazetarët nisën ta fotografonin dhe ta publikonin në rrjetet sociale, duke thënë që policia e la aty për tri ditë me radhë.

Sot, reporterët e ngjarjeve kriminale e vënë në lojë policinë dhe nuk kanë faj. Policia fillimisht i pengoi të hynin në “skenën e krimit” me shpjegimin se po shqyrtonin vendin dhe po mblidhnin elementët kompromentues por vetëm doreza e zezë nuk u duk si element interesant. Ajo u cilësua e dyshimtë vetëm nga gazetarët.

“Dorashka e zezë sekuestrohet pas tri ditësh”, shkruajnë gazetarët me ironi. Dhe në çfarë rrethanash?!

Kur i është ndryshuar vendi nga gazetarët që mundoheshin ta përshtasnin për foto.

Kush nuk do ta bënte? Kush nuk do vinte në lojë ekspertizën tonë “profesionale”?! Kush nuk do ironizonte gjurmët e mundshme të shkatërruara të gishtave nga ndotja e gjurmëve të gazetarëve?!

E njëjta gjë ndodhi edhe me grabitjen e 2017-ës, me një gëzhojë, e cila nuk u mor si provë menjëherë por vetëm pasi u evidentua nga reporterët, u konsiderua.

Ja pra. Kjo është fabula e institucioneve që zbardhin krimet.

Se nga zbardhja e krimeve, parandalohen të tjerët. Një shoqëri me më pak krime është më e sigurtë. Një vend më i sigurtë plotëson më mirë kushtet e BE-së. Po u plotësuan kushtet hyjmë në BE. Po hymë në BE tregon se qeveria e paska bërë një punë të mirë. Po bëri ndonjë punë të mirë qeveria, ka gjasa ta votojmë prapë, po e votuam prapë, qeveria fiton…e kështu, e kështu, plotësohet ai rrethi vicioz ku jemi ne, gazetarët, kriminelët, qeveria dhe ekspertët e përgjegjshëm të zbulimit të gjurmëve, me shpresën që te doreza e zezë që e morën pas tri ditësh, të zbulojnë ndonjë gjë./Hashtag.al

Doreza e gjetur në Tapizë, para tunelit ku u gjet e shkrumbuar makina e tretë e grabitësve të 10 milionë eurove


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *