Policia ia ka dalë me sukses. Jo të arrestojë ndonjë grabitës të 10 milionë eurove, jo, por një shpërndarës nga ata të vegjëlit, me biçikletë.
Me një deklaratë të detajuar, përfaqësuesit e saj lajmërojnë:
“Seksioni për hetimin e narkotikëve në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fundjava”, arrestoi në flagrancë shtetasin:
M. H., 35 vjeç, banues në Tiranë , me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve.
Shtetasi i mësipërm ishte në vëshgim nga shërbimet e policisë, pasi për të disponohej informacion se merrej me shpërndarje të lëndës narkotike të llojit heroinë në formë dozash në zonën e “Selitës”, “Kombinatit”, “Astirit” dhe “Yzberishtit”.
Ky shtetas është konstatuar duke qarkulluar me biçikletë në rrethrotullimin e bulevardit të “Kasharit” dhe është ndaluar për kontroll nga shërbimet e policisë.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar i janë gjetur 5 doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë.
Në vijim shërbimet e policisë kanë ushtruar kontroll dhe në banesën e këtij shtetasi, ku kanë gjetur dhe 20 doza të tjera me lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale 25 doza heroinë, 2 aparate celular dhe një biçikletë.”