Vendosni fjalën kyçe....

Protestuesit sudanezë kërkojnë dorëzimin e pushtetit nga ushtria


Zotimi i këshillit ushtarak në Sudan se do t’ia dorëzojë pushtetin një qeverie civile brenda dy vjetësh është refuzuar nga grupi kryesor protestues, i cili ka thënë se ushtria nuk është e aftë të bëjë ndryshime.

Gjatë një konference për shtyp në televizionin shtetëror, Omar Zein, zyrtar i lartë i ushtrisë dhe anëtar i këshillit ushtarak, tha se ushtria nuk ka për synim që ta mbajë pushtetin dhe se ka ndërhyrë për ta rrëzuar presidentin Omar al-Bashir vetëm si përgjigje ndaj vullnetit të popullit.

Këshilli ushtarak ka kërkuar që të bisedojë me protestuesit dhe t’i dëgjojë kërkesat e tyre. “Kemi ardhur këtu pa ndonjë zgjidhje. Jemi këtu për ta çuar vendin përpara dhe të shërbejmë si mjet për ndryshim. Do të ulemi të bisedojmë me protestuesit, t’i dëgjojmë qëllimet e tyre dhe t’i bëjmë ata pjesë të dialogut”, tha ai.

Përmes një deklarate, Shoqata e Profesionistëve Sudanezë, e cila është grupi kryesor i protestave, e përsëriti kërkesën e saj që pushteti t’i kalojë menjëherë një qeverie civile kalimtare. “Shoqata jonë e ka bërë të qartë qëndrimin e saj kundër përpjekjes së ushtrisë për ta riprodhuar regjimin e Bashirit dhe nuk sheh ndonjë mundësi tjetër pos kundërshtimit të puçit ushtarak”, thuhet në këtë deklaratë.

Protestat në Sudan filluan më 19 dhjetor të vitit të kaluar në qytetin lindor të Atbaras pas vendimit të qeverisë për trefishim të çmimit të bukës, por më vonë u shndërruan në demonstrata popullore kundër regjimit të presidentit Bashir. Situata doli nga kontrolli shpejt të shtunën, kur mijëra protestues filluan të ulen në rrugë pranë ministrisë së mbrojtjes.

Një shoqatë e mjekëve sudanezë ka njoftuar se 26 njerëz kanë vdekur dhe më shumë se 150 të tjerë janë lënduar, 15 prej të cilëve janë në gjendje kritike. Pesë viktima ishin ushtarë që mbronin protestuesit nga grupet e armatosura të Bashirit, shkruan “The Guardian”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *