Opozita e bashkuar mblodhi sot në bulevardin Dëshmorët e Kombit një protestë mbarëkombëtare të përmasave të mëdha.
Protesta e cila filloi sot prej orës 18:00 pati zhvillime nga më të ndryshme, fjalime të liderit të opozitës, përplasje me policinë, flakadanë, gaz lotsjellës, djegie makine si edhe thirrje në kor për largimin e qeverisë të kryesuar nga Edi Rama.
Simbolikat në këtë protestë nuk munguan, këtë herë organizatorët kishin zgjedhur të përdornin çadrat me mbishkrimin “Ik” për të dhënë idenë e largimit të Ramës, pankarta të ndryshme të cilat tregonin situatën e krimit, prishjeve të banesave apo edhe mos përkrahjes ndaj fermerëve.
Protesta filloi qetësisht, me hedhje boje në muret e kryeministrisë dhe derdhjen e qumështit në bulevard si edhe qëllimin me domate e lakra në drejtim të godinës.
Por pas fjalës së liderit të opozitës protestuesit u përplasën me policinë, çanë kordonin e vendosur dhe vërshuan në shkallët e godinës së ekzekutivit.
Pas këtyre tensioneve të para protesta u zhvendos përpara parlamentit ku ndodhën e konfrontimet e para ku pati përplasje me policinë e cila përdori edhe gaz lotsjellës dhe autobotin me ujë për të shpërndarë turmën.
Nga këto përplasje sipas raportimeve të para mbetën të plagosur rreth 15 protestues dhe 5 efektivë të policisë.
Protesta zgjati rreth 4 orë dhe pas përplasjeve me policinë dhe përdorimit të gazit lot sjellës opozita vendosi mbylljen e saj, me itinerarin e përdorur edhe në protestat e mëparshme, ku Basha nga selia blu lajmëroi mbylljen e saj./Hashtag.al