Vendosni fjalën kyçe....

“Atë që Rama s’arriti ta bënte me Shullazin para 3 vjetësh, e bën me Besa Shahini” – Vokshi për pezullimin e Konit


Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka deklaruar se pezullimi i Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni nga ministrja e Arsimit, Besa Shahini, është antikushtetues.

Vokshi shkruan se pezullimi i tij bie ndesh me nenin 57 të Kushtetutës si dhe nenin 3 të ligjit për Arsimin e Lartë.

Ish-deputetja shkruan se atë që nuk bëri para 3 vjetësh me Emiljano Shullazin, Edi Rama e bëri sot me Shahinin.

Deklarata e Vokshit

Atë që Rama nuk arriti të bënte para 3 vjetësh me Shullazin, ka vendosur ta bëjë tani nëpërmjet Ministres së Arsimit Besa Shahini.

Pezullimi dhe kërkesa për shkarkim e Rektorit të Universitetit të Tiranës është antikushtetuese! Ajo bie ndesh me nenin 57 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenin 3 të ligjit për Arsimin e Lartë, që garantojnë Autonominë Universitare.

Edi Rama nuk shqetësohet aspak për ligjet që shkel vetë çdo ditë ai dhe ministrat e tij për të vjedhur qytetarët dhe për të dhunuar të drejtat e tyre.

Edi Rama është hipokrit. Shqetësimi i tij i vërtetë nuk është shkelja e ligjit, sepse ai e ka lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë funksionale. Edi Rama kërkon të uzurpojë çdo pushtet, si çdo i ngjashëm i tij autoritarist, i korruptuar dhe arrogant.

Edi Ramës nuk i intereson aspak mirëfunksionimi i universitetit më të madh në vend, sepse nuk e ka pasur asnjë moment arsimin prioritet.

Qëllimi i vetëm është largimi me të gjitha mjetet dhe format i çdokujt që atij i bëhet pengesë dhe më tej, interesi i tij është të marrë kontrollin edhe të Universitetit më të madh në vend, duke vënë në krye militantë politikë.

Urdhri i Ministres Shahini për pezullim të rektorit Mynyr Koni minon autonominë universitare dhe dëmton rëndë këtë institucion kaq të rëndësishëm për jetën akademike në vend.

Autonomia universitare duhet mbrojtur me çdo kusht për të mos e lënë edhe Arsimin e Lartë, edhe jetën akademike në duart e një Kryeministri që kontrollon gjithçka tjetër: Gjykatat, prokurorinë, mediat dhe të ashtuquajturën shoqeri civile.

Thirrja ime është për studentët dhe pedagogët që të bëj ë rezistencë kundër të keqes me emrin Edi Rama, qe e ka burimin tek blerja e votës dhe mosdhënia e llogarisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *