Ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj, ka reaguar përmes një deklarate për mediat, për protestën e djeshme të opozitës. Lleshaj e ka përdorur protestën e opozitës, si një justifikim se përse policët nuk po kapin dot kriminelët, pasi tha se u ka zhvendosur fokusin.
“Protesta edhe njëherë kontribuoi për ta zhvendosur fokusin e policisë dhe të forcave të rendit publik, nga lufta kundër elementëve apo grupeve kriminale në përballimin e një proteste të paligjshme.
Përmes kësaj organizatorët, arritën t’i krijojnë edhe një herë një zonë komoditeti dhe qetësie grupeve kriminale, veçanërisht në ditët e sotme ku lufta dhe angazhimi i forcave të policisë ndaj tyre, është më i domosdoshëm se kurrë.”, deklaroi Lleshaj para gazetarëve.
Nëse policia qenka ç’fokusuar nga protestat e opozitës që kanë nisur që prej 16 shkurtit, nga çfarë ç’fokusuar para kësaj periudhe protestash që s’i kapi dot kriminelët e pjesëtarët e bandave të Shkodrës apo Elbasanit për shembull, që më përpara.
Lleshaj tha se protesta po kthehet në problem për rendin kushtetues. Ministri tha se policia reagoi me trimëri dhe profesionalizëm.
“Protesta ishte e dhunshme dhe paligjshme. Protesta pati më shumë dhunë se më parë, është për të ardhur keq. Nga ana e organizatatorëve si çdo herë nuk kishin marrë asnjë masë për të realizuar këtë protestë brenda normave ligjore. Përkundrazi, ishin marrë masa për të përdorur dhunë kundër institucioneve dhe kundër efektivëve. Gjithashtu u lëshuan thirrje të vazhdueshme për revolucion dhe dhunë ndaj institucioneve. U përdorën lëndë djegëse ndaj forcave të policisë. Policia e Shtetit veproi profesionalisht ndaj atyre që kanë vrarë protestues. Pas protestës janë marrë masa të forta, të shpejta, për të shoqëruar, ndaluar, arrestuar persona që kanë konsumuar vepra të ndryshme penale.”, tha Lleshaj.
“Me keqardhje se përshkallëzimi i protestës po e zhvendos atë nga një problem të rendit publik, në një problem të rendit kushtetues, që do të thotë, që organizatorët dhe pjesëmarrësit e saj mund të përballen së shpejti me akuza që kanë të bëjnë me me cënimin dhe sulmin ndaj organeve dhe rendit kushtetues të vendit.
Qytetarët të distancohen nga dhuna dhe ta braktisin atë.”, vijoi më tej Lleshaj./Hashtag.al