Pas deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj, se protesta e djeshme e opozitës kishte ç’fokusuar policinë nga puna për të arrestuar kriminelët, ish deputeti demokrat Ervin Salianji e shikon komike këtë deklaratë të ministrit.
Salianji shkruan se një ditë më parë Lleshaj helmoi popullin me gaz lotsjellës, ndërsa sot i shkriu gazit shqiptarët.
“Lleshaj na mbyti me gaz, dje nga frika helmoi popullin me gaz helmues, sot me servilizmin deri në budallëk shkriu shqiptarët gazit ”, shkruan Salianji.
Ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj, e ka përdorur sot protestën e opozitës, si një justifikim se përse policët nuk po kapin dot kriminelët, pasi tha se u ka zhvendosur fokusin.
“Protesta edhe njëherë kontribuoi për ta zhvendosur fokusin e policisë dhe të forcave të rendit publik, nga lufta kundër elementëve apo grupeve kriminale në përballimin e një proteste të paligjshme.
Përmes kësaj organizatorët, arritën t’i krijojnë edhe një herë një zonë komoditeti dhe qetësie grupeve kriminale, veçanërisht në ditët e sotme ku lufta dhe angazhimi i forcave të policisë ndaj tyre, është më i domosdoshëm se kurrë.”, deklaroi Lleshaj para gazetarëve.
Nëse policia qenka ç’fokusuar nga protestat e opozitës që kanë nisur që prej 16 shkurtit, nga çfarë ç’fokusuar para kësaj periudhe protestash që s’i kapi dot kriminelët e pjesëtarët e bandave të Shkodrës apo Elbasanit për shembull, që më përpara.
Lleshaj tha gjithashtu se protesta po kthehet në problem për rendin kushtetues.