Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë mbush 10 vjet nga dita e themelimit të tij. Në një ceremomni jubilare që bëri bashkë qindra të ftuar, UMSH tregoi edhe njëherë se është një nga institucionet më elitare të arsimit të lartë në vend.
Gjatë ceremonisë së organizuar enkas për këtë ditë të veçantë u kujtuan arritjet e një dekade, por nga ana tjetër sfidat që e presin këtë Universitet në dekadat e ardshme si faktor i edukimit të brezit të ri në Shqipëri.
Të pranishëm në këtë cermoni jubilare ishin: Përfaqësues të komuniteve fetare, të trupës diplomatike, politikanë, akademikë, drejtues universitetesh publike e private.
Ceremoninë e nderoi me pjesëmarrjen e tij, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z Ilir Meta.
Presidenti vlerësoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” pedagogë dhe shkencëtarë të spikatur në mësimdhënie dhe kërkime shkencore të Universitetit “Mesdhetar” të Shqipërisë.
Presidenti i Republikës çmoi zotin Aristotel Pano për vlerat e spikatura mësimdhënëse dhe shkencore në fushën e financave dhe ekonomisë; zotin Gudar Beqiraj për kontributet shkencore dhe veprimtarinë akademike e pedagogjike, si dhe zotin Ksenofon Kristafi për veprimtarinë diplomatike dhe shkencore në fushën e të drejtës ndërkombëtare dhe roli në çështje me rëndësi të veçantë në politikën tonë të jashtme.
“Ky universitet, që përfaqëson një institucion tashmë të afirmuar të arsimit tonë të lartë, do të duhet, dhe do t’ju lutesha, që ta kthenit në një qendër edhe më aktive shkencore e debati të studimeve mesdhetare, duke promovuar të gjitha organizatat mesdhetare ku Shqipëria bën pjesë, por njëkohësisht duke u bërë pjesë edhe e gjithë debateve për temat më të mëdha të këtij makro-rajoni ku ne bëjmë pjesë, pasi është në interesin tonë të afirmojmë edhe më tej dimensionin tonë mesdhetar.
Jo vetëm kaq, por edhe të jemi më aktiv në përballimin e problemeve dhe sfidave që ka ky makro-rajon”, u shpreh Presidenti në fjalën e tij.
Themeluesi i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Akademik, Pr. Dr Anastas Angjeli theksoi në fjalën e tij se UMSH e presin të tjera sfida.
“Ne e kemi hedhur themelin në këta 10 vjet. Do të vazhdojmë udhën e nisur me vizionin dhe objektivin e qartë: ‘Të përgatisim qytetarin, të kulturuarin, ekspertin dhe teknokratin e shekullit të njezetë e një, kontribues me vlera të spikatura për zhvillimin, shoqërinë dhe për vendin!’ I sigurt se ne do t’i përballojme këto sfida”, u shpreh themeluesi i UMSH.
Ceremonia u mbyll nga një minikoncert të organizuar nga studentë dhe ish-studentë të UMSH.