Vendosni fjalën kyçe....

Dënohet me një vit burg protestuesja që hoqi hixhabin në publik


Një grua iraniane, e cila hoqi shaminë në publik në protestat e vitit 2017 është dënuar me një vit burg për këtë, por sipas avokatit të saj lideri suprem e ka falur.

Avokati Payam Derefshan i tha “The Associated Press” se gjykata e kishte dënuar  Vida Movahed pasi gjykata e kishte shpallur në mars fajtore për inkurajimin e publikut për “korrupsion”.

“Al Jazeera” shkruan se Movahed u arrestua në nëntor. Derefshan, tha se aktivistja është në listën e faljes nga lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei por procedurat për falje, ende nuk kanë përfunduar.

Lidhur me këtë rast, autoritetet iraniane ende nuk kanë komentuar. Lideri suprem, është ai që zakonisht lëshon dekretet për faljen e të burgosurve.

Movahed, 32-vjeçare, u quajt “Vajza e Rrugës Enghelab” ishte arrestuar për një kohë të shkurtër në 2017-ën, për shkak se kishte hequr shaminë e kokës dhe e kishte tundur atë para publikut. Nën akuza të njëjta, po atë vit, autoritetet kishin arrestuar edhe 29 gra të tjera.

Tre prej tyre thuhet se janë dënuar me dy vjet burg dhe disa të tjera besohet se janë larguar nga vendi. Procedurat gjyqësore iraniane zakonisht janë të mbyllura për publikun dhe verdiktet shpesh nuk publikohen.

Ligji iranian kërkon që gratë të vishen në mënyrë konservative dhe të mbulojnë flokët e tyre në publik. Ata që shkelin rregullat zakonisht dënohen me dy muaj burg ose më pak dhe gjobiten me rreth 25 dollarë.

Autoritetet kanë miratuar një qasje më të ashpër ndaj protestave, të cilat ata thonë se janë pjesë e një fushate të orkestruar nga jashtë nga grupet e opozitës dhe rrjetet e mediave sociale.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *