Presidenti i Ekuadorit, Lenini Moreno e akuzoi Jualian Assange për “sjellje të pahijshme” dhe se e përdori ambasadën ku ishte strehuar për 7 vjet për spiunazh. Moreno tha se revokimi i azilit erdhi pasi Assange shkeli rregullat dhe jo për shkak se ndonjë vend tjetër ndikoi për të marrë këtë vendim.
“Ne nuk mund ta lejojmë shtëpinë tonë, shtëpinë që hapi dyert e saj, të bëhet një qendër për spiunazh”, tha Moreno.
Por sipas avokates së themeluesit të Wikileaks, autoritetet ekuadoriane kanë shpikur akuza për “sjellje të keqe të keqe” ndaj Julian Assange si pretekst për ta dorëzuar atë në polici.
“Gjëja e parë që duhet të thuhet është se Ekuadori ka bërë disa akuza të egra,” tha Jennifer Robinson, për Sky News.
Sipas saj, Edkuadori i bëri këto deklarata për të devijuar vëmendjen e publikut nga gabimet e veta dhe për të “justifikuar veprimin e paligjshëm dhe të jashtëzakonshëm për të lënë policisë të hyjë brenda një ambasadë”.
Më herët, ministrja e brendshme ekuadoriane Maria Paula Romo u ankua që stafi i ambasadës duhej të toleronte sjellje të pahijshme për shumë kohë.
47-vjeçari u akuzua për “vendosjen e feceve në muret e ambasadës”. “RT” shkruan se ai u akuzua gjithashtu se kishte lënë të brendshme të pista në banjë, që nuk pastronte enët dhe për ndezjen e një zjarri.
Përveç kësaj, stafi i ambasadës u ankua se themeluesi i WikiLeaks gjithashtu dëgjonte muzikë me zë të lartë dhe luante me skateboard në korridoret e ambasadës gjatë natës.
Robinson i hodhi poshtë të gjitha këto akuza si “jo të vërteta” dhe tha se autoritetet ekuadoriane e kthyen azilin në një lloj izolimi, pasi ai ishte fshehur për shtatë vjet.
“Unë e kam vizituar atë për shtatë vitet e fundit, ky njeri ka qenë brenda një dhome që s’kishte qasje me jashtë. Brenda ambasadës jeta e tij është bërë më e vështirë”, tha avokatja, duke shtuar se qëndrimi i Ekuadorit ndaj Assange ndryshoi në mënyrë drastike kur Lenin Moreno, erdhi në pushtet.