Templates by BIGtheme NET

Rektori Koni: Akuzat e ministres janë të pavërteta, nuk jemi takuar asnjëherë për problemet e universitetit

Rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni ka reaguar pas pezullimit të tij nga detyra, nga ministrja e Arsimit Besa Shahini.

Në një intervistë me gazetaren Beti Njuma në Ora News, Koni është shprehur se akuzat e paraqitura nga ministrja janë të pavërteta dhe të gënjeshtërta.

“Akuzat që ka paraqitur ajo (ministrja Besa Shahini) janë të pavërteta dhe të gënjeshtërta. Ministrja duhet të kishte gjetur kohë që të kontaktonte me mua qëkur ka ardhur në pushtet. Unë e kam takuar njëherë por jo për shqetësime të universitetit. I kam shkruar dhe personalisht në WhatsApp për problemet e universitetit dhe nuk ka reaguar”- është shprehur ndër të tjera Koni.

Ndërkohë i pyetur nga gazetarja për shkeljet e tij në krye të detyrës, të paraqitura nga Shahini në raportin e Ministrisë së Arsimit, rektori i UT shtoi “Është qesharak të thuhet që është 100 e ca faqe raporti. Raporti është vetëm 35 faqe kurse pjesët e tjera janë objeksionet e rektorit. Nuk është e vërtetë që nuk kam zbatuar detyrimet”.

Më tej, rektori Koni tha se shpreson që pengesat që ka hasur deri tani të mbyllen dhe ai të vazhdojë punën pasi shkarkimi mund të bëhet sipas tij nëse ka shkelje penale gjatë ushtrimit të detyrës, gjë të cilën Mynyr Koni u shpreh se nuk e ka bërë.

“Shpresoj që pengesat që kam kaluar qëkur mora detyrën të mbyllen me këtë ngjarje të fundit. Shkarkimi bëhet në bazë të ligjit kur ka shkelje penale dhe ministrja nuk ka atribute për të vendosur në emër të rektoratit”-shpjegon Koni.

Sipas Mynyr Konit, pezullimi i tij ka ardhur nga një raport i hartuar në kohën kur në krye të MAS ishte ministrja Lindita Nikolla.

‘Raporti është përpiluar në kohën e Lindita Nikollës nga grupi i saj i punës në shkurt të 2018. Auditimi nuk është bërë nga një grup nga UT. Kontrolli është bërë i qëllimshëm pasi unë kam kërkuar audit për 10 vitet e fundit’, shtoi ndër të tjera Mynyr Koni.

 

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto