Templates by BIGtheme NET

Shahini shkel Kushtetutën dhe s’pret Metën, komandon me nxitim zëvendësin e Konit

Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka shkelur Kushtetutën dhe nuk ka pritur shumë për të zëvendësuar rektorin e shkarkuar të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni.

Shahini ka komanduar Bernard Dostin në këtë detyrë në të njëjtën ditë kur ka urdhëruar pezullimin e Konit.

Emërimi i rektorëve të universiteteve është tagër i Presidentit të Republikës sipas Kushtetutës, më saktë nenit 92, pika g ku thuhet shprehimisht:

Neni 92

Presidenti ushtron edhe këto kompetenca:

g) emëron Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe rektorët e universiteteve sipas ligjit;

Dosti është aktualisht zëvendës rektor në Universitetin e Tiranës. Ai do të mbajë këtë pozicion deri në përfundim të çështjes dhe dhënies së vendimit të formës së prerë.

Dy ditë më parë, ministrja e Arsimit Besa Shahini ka pezulluar nga detyra rektorin e Universitetit të Tiranës Mynyr Koni.

 “Më ka bërë përshtypje që edhe publikisht, profesor Koni është ankuar për dekanët dhe pjesën administrative, por nuk ka ardhur kurrë me një kërkesë të mirëargumentuar që t’ia miratojmë shkarkimin e dekanëve.

Unë nuk kam në dorë asnjë mjet tjetër ligjor përveçse të pezulloj Rektorin e UT-së dhe të kërkoj nga Presidenti i Republikës, shkarkimin e tij. Më vjen keq për zotin Koni, unë jam udhëheqëse dhe dua të sigurohem që reforma po zbatohet“, – deklaroi Shahini. Por duket se ajo nuk ka pritur vendimin e Metës për shkarkimin e Konit dhe ka emëruar dhe rektorin e ri të Përkohshëm.

Mes rektorit Koni dhe qeverisë ka pasur një konflikt të vazhdueshëm sidomos pas shpërthimit të protestave studentore në dhjetor të vitit të kaluar.

Qeveria ka akuzuar shpesh herë Konin për përgjegjësitë mbi Universitetit e Tiranës dhe menaxhimin e tij.

Shkarkimi i plotë i rektorit Koni duhet të marrë miratimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta. Por nga ana e presidentit nuk ka patur ende një veprim të tillë.

MUND TË KOMENTOSH

avatar
  Subscribe  
Më njofto