Një i ri shqiptar i cili ishte kapur me kokainë në Londër, është dënuar me 12 vite burg nga gjykata. Bëhet fjalë për një 26-vjeçar nga qyteti i Shkodrës, Suad Sufaj, i cili u ndalua nga Policia ndërsa ishte duke udhëtuar me një makinë në veri të kryeqytetit të Anglisë.
Sufaj u arrestua më 26 shtator të vitit të kaluar, pasi nga kontrolli në makinë iu gjet një sasi prej 1 kg kokainë, që në treg do të kapte një vlerë prej 100 mijë paund.
Pas sekuestrimit të drogës në makinë, policia kontrolloi dhe banesën e shqiptarit, ku gjeti një sasi prej 8.5 kg kokainë, që përllogaritet se do të kapte një vlerë prej gati 800 mijë paund në treg.
Mediat britanike shkruajnë se Gjykata e Kingston Crown e shpalli Sufajn fajtor dhe e dënoi me 12 vjet burg.
Pas dënimit të tij, Sufaj do të deportohet në Shqipëri.