Vendosni fjalën kyçe....

Basha i del në krah kryebashkiakut të Kavajës: Sulm politik me urdhër të Ramës


Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i ka dalë në mbrojtje kryebashkiakut të Kavajës Isa Sakja. Sipas tij, kallëzimi penal ndaj kryebashkiakut, vjen si sulm politik nga kryeministri Edi Rama.

“Kallëzimi penal kundër kryetarit të Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja, është sulm politik kundër kundërshtarit politik, i parathënë nga Edi Rama disa javë më parë. Ky sulm politik është i orkestruar nga një kryeministër hakmarrës, që nuk e pranon dot se qytetarët në Kavajë nuk drejtohen më nga një përdhunues dhe trafikant droge apo grabitës pronash në bregdet.

Kallëzimi politik penal kundër Isa Sakjas vjen nga i njëjti kryeministër i korruptuar dhe i lidhur me krimin që vazhdon të mbrojë Vangjush Dakon, i cili betonizoi Durrësin dhe plazhin e tij, duke u dhënë pasuri publike kriminelëve me të cilët bleu votat. Kallëzimi është urdhëruar nga kryeministri i Qazim Sejdinit, që komandon trafikun e drogës në Elbasan dhe e ka bërë qytetin plaçkë betoni të bandave. Sulmi politik ndaj kryebashkiakut të Kavajës vjen nga i njëjti kryeministër që, bashkë me shërbëtorin e tij, Erion Veliaj, kanë betonizuar Tiranën, duke e shndërruar në lavatriçen më të madhe të pastrimit të parave në Ballkan.

As kallëzimet politike, as gazi lotsjellës, as propaganda nuk e ndihmojnë dot më Edi Ramën. Kryeministri më i korruptuar sot në Europë e ka humbur Kavajën dhe, shumë shpejt, ka për të humbur gjithë Shqipërinë!”, shkruan Basha.

Ditën e djeshme, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka kallëzuar penalisht pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Kavajës, kryetarin e Bashkisë, Isa Sakja. IKMT e akuzon kryebashkiakun për shpërdorim detyre.

 IKMT ka kallëzuar penalisht edhe drejtoreshën e Drejtorisë së Kontrollit, Zhvillimit Urbanistik dhe Pronave, Dëshira Qato si dhe Kryeinspektorin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) Bashkia Kavajë, Dritan Kazazi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *